Maqedoni

Dita e Demokracisë, Ramadani: hapa progresiv për fjalën e lirë

15.09.2017 15:35

Dita e demokracisë e gjen shoqërinë në Maqedoni me hap progresiv sa i përket fjalës dhe shprehjes së lirë...

Dita e demokracisë e gjen  shoqërinë në Maqedoni me hap progresiv sa i përket fjalës dhe shprehjes së lirë, por në qoftë se bëjmë një analizë të veprimit institucional dhe demokracisë në institucione, atëherë definitivisht mund të themi se ende nuk kemi arritur të ndërtojmë institucione të mirëfillta demokratike.
 
Kështu vlerëson kryetari i Këshillit Euro – Atlantik, Ismet Ramadani. 
 
“Hapat për të cilat duhet të ecim dhe synojnë janë: të kemi drejtësi, shtet juridik, institucionet e drejtësisë të jenë të pavarura; e dyta, parlamenti të jetë më funksional, si organ më i lartë dhe si përfaqësues i qytetarëve. Definitivisht duhet të gjenden forma dhe metoda, të ketë një zhvillim të ekonomisë për mirëqenie qytetare, sepse demokracia pa mirëqenie nuk ka kuptim”,- deklaroi kryetari i Këshillit Euro – Atlantik, Ismet Ramadani.
 
Demokracia është ende më e rëndë të arrihet në shoqëritë multietnike dhe kjo kërkon një specifikë më të kujdesshme, theksoi Ramadani.
 
“Ne duhet të zhvillojmë demokraci multietnike, në shtetet multietnike demokracia ka specifikën e vet dhe dorën në zemër është më vështirë të praktikohet si demokraci. Mirëpo me angazhim të mirë, me tolerancë ndëretnike, ndërfetare, duke respektuar kështu kulturën e njëri-tjetrit, gjuhën… nuk ka kuptim të themi ajo që është aktuale, të zhvillohet debat aq i ashpër dhe aq me aversion të debatohet për gjuhën shqipe dhe njëkohësisht të shënosh Ditën e Demokracisë”,- theksoi kryetari i Këshillit Euro – Atlantik, Ismet Ramadani.
 
Maqedonia, që pas shpalljes së pavarësisë, ka ndërtuar kushtetutë në bazë të normave demokratike dhe sistem politik të demokracisë parlamentare, elemente, kryesore, që i nevojitet një shteti demokratik.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU