Maqedoni
Ora e parë akademike në UShKM, Deskovska porosit studentët: Bëhuni të zëshëm, ju jeni korrigjues të politikave. UNT dhe UEJL: Ora e parë akademike, të hënën
15.09.2017 16:03
Në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” u mbajt ora e parë akademike për vitin 2017/2018...

Me këtë rast, rektori, Nikolla Jankullovski, studentëve iu dëshiroi mirëseardhje në universitetin më të vjetër në Maqedoni, i cili shënon suksese të shumta në planin mësimor shkencor.
Ndërkohë, të hënën, në UNT dhe UEJL do të mbahet ora e parë akademike për studentët. Në UNT janë bërë të gjitha parapërgatitjet që procesi arsimor të zhvillohet me kushte optimale, theksoi profesori, Rizvan Sulejmani, sipas të cilit nga gjeneratat e reja presin entuziazëm dhe përkushtim maksimal gjatë studimeve.
“Ne presim shumë më tepër angazhim, shumë më tepër përkushtim, stafi i universitetit bën të pamundurën që studentëve t’u mundësohet kushte optimale që të pajisen me njohuritë e duhura dhe shkathtësitë e nevojshme që të mund të kyçen në tregun e punës”,- deklaroi profesori, Rizvan Sulejmani.
Ndërkohë, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskoska, studentët të cilët sot e fillojnë vitin e ri akademik i porositi “bëhuni të zëshëm, shpreheni mendimin tuaj pa frikë, sepse ju jeni korrigjimi i politikave shoqërore, ju jeni simboli i lirisë dhe i frymës perspektive të së ardhmes së Maqedonisë!”.
Vetëm njerëzit që kanë fituar kompetenca të caktuara, të cilët janë të përgatitur profesionalisht, do të ballafaqohen me detyrat dhe sfidat me të cilat do të jenë konkurrent në tregun e punës. Ajo premtoi se si ministre do të merret me përmirësimin e standardit të studentëve dhe njëkohësisht e garanton edhe autonominë e universiteteve, si dhe kolegëve profesorë u porosit se janë “në të njëjtën anë, kanë mision dhe qëllim të përbashkët”, që të sigurojnë cilësi më të lartë të arsimimit të lartë.
FLUTURA LATIFI
