Maqedoni

Raporti i Pribesë: PPS të vazhdojë punën, deri tani asnjë dënim

15.09.2017 16:27

Bashkimi Europian ka publikuar raportin e grupit të ekspertëve në krye me Reinhard Priebe në lidhje me sundimin e së drejtës në vend...

Në raport theksohet se është bërë shumë pak në lidhje me skandalin e përgjimeve, prandaj PPS-ja duhet të vazhdojë me punën për ndjekjen penale të përgjegjësve për përgjimet e paligjshme. 
 
"Përcaktimi i përgjegjësisë penale për përgjimet e paligjshme është thelbësore dhe si e tillë kjo gjë duhet të vazhdojë të zbatohet. Pavarësisht kritikave, obstruksioneve  dhe qëndrimeve jobashkëpunuese të një game të gjerë të institucioneve kryesore në shtet, duke përfshirë edhe përpjekjen e presidentit për t'i falur të gjithë, edhe ata që potencialisht do të hetohen, PPS ende po tregon përkushtim dhe kompetencë. Megjithatë, kufizimet dhe pengesat e mandatit të PPS-së e kanë ngritur çështjen e vazhdimësisë, që është thelbësore për sigurimin e përgjegjësisë penale. Ka mundësi të ndryshme për të siguruar këtë vazhdimësi. Një bazë e fortë ligjore për këtë është më se e nevojshme”,- thuhet në raport.
 
Ekipi i Pribesë vë në dukje se gjykata nuk ka vepruar me përpikëri në rastet e PPS-së dhe nga totali prej 20 aktakuzave të ngritura, deri më tani janë konfirmuar vetëm tre. Raporti gjithashtu vëren se deri më tani, megjithëse kanë kaluar dy vjet, askush nuk është dënuar në bazë të akuzave të PPS-së.
 
"Megjithëse kanë kaluar afro dy vjet që kur PPS-ja ka filluar punën, askush nuk është dënuar në mënyrë efektive, duke krijuar një perceptim të mosndëshkimit. Është thelbësore për të siguruar përgjegjësinë penale të të gjithë autorët e supozuar, pavarësisht nga përkatësia politike",- thuhet në raport. 
 
Parandalimi dhe shtypja e korrupsionit dhe nepotizmit në të gjitha nivelet e qeverisjes duhet të jetë prioritet i lartë.
 
“Gabimet e së kaluarës nuk duhet të përsëriten dhe një formë e kapjes së shtetit nuk duhet të zëvendësohet me një tjetër. Disa nga veprimet që duhet të zbatohen në të ardhmen e afërt, në mënyrë të pashmangshme do të jenë një test në këtë drejtim”,- thuhet në raportin e Pribesë.