Maqedoni

Universiteti i Tetovës, filloi viti i ri akademik 2017/18

15.09.2017 16:49

Universiteti i Tetovës, përmes një ceremonie solemne, e shpalli të hapur zyrtarisht vitin e ri akademik 2017/18...

Në këtë ceremoni u bë pritja e gjeneratës së njëzetedytë të studentëve të UT-së. Rektori, Vullnet Ameti, me këtë rast u shpreh se UT çdo ditë dhe çdo vit po e dëshmon se është vatër e dijes dhe shkencës.
 
“Universiteti i Tetovës po e dëshmon punën e tij të suksesshme para qytetarëve të vendit tonë dhe më gjerë, vjen më i përgatitur se kurrë më parë, paraqitet fuqishëm para opinionit publik me veprimtarinë e tij akademike, me të arriturat në fushën e arsimit, shkencës dhe veprimtarisë së përgjithshme universitare. Ne, sot e fillojmë vitin e ri akademik, të përgatitur për të realizuar me sukses procesin mësimor–shkencor, me synime të qarta për objektivat që dëshirojmë t’i arrijmë. Liria e fjalës dhe liria e mendimit, si vlera universale, sot janë standarde dhe pjesë e punës sonë të përditshme. Universiteti ynë, për çdo vit po e dëshmon se është vatër dhe alternativë e vetme e arsimit të lartë në gjuhën shqipe, që garanton studime cilësore dhe të pranuara edhe jashtë vendit, ku mund t’i vazhdojnë studimet, ose të kërkojnë punë të diplomuarit në këtë universitet, sipas standardeve të kërkuara nga sistemi europian i transferit të kredive dhe tregut global të punës”,- deklaroi rektori i UT-së, Vullnet Ameti.
 
Ameti me tej shtoi se Universiteti i Tetovës, si një institucion me traditë të konsoliduar arsimore,veprimtarinë e tij e zhvillon në tre cikle të studimeve, studimet themelore, të magjistraturës dhe të doktoratës.
 
Me ketë rast, rektori i UT-së, Ameti, ndau edhe indeksat e parë për studentët që janë regjistruar për vitin akademik 2017-2018.
 
VISAR SADIKI