Maqedoni

Zgjedhjet lokale, Zaevi: kushte për zgjedhje korrekte e të lira; Kandidaturat tashmë edhe zyrtare, partitë “ndezin motorët” për zgjedhje

15.09.2017 17:11

Tashmë dihen emrat e kandidatëve me të cilët partitë do të garojnë në zgjedhjet lokale të 15 tetorit...

Institucionet gjithashtu janë në vlugun e punës për të siguruar mbarëvajtje të procesit zgjedhor. Kryeministri Zaev premton krijimin e kushteve për zgjedhje korrekte e demokratike, gjatë të cilave qytetarët lirshëm do të shprehin vullnetin e tyre.    
                                                                                                            
“Do të krijojmë kushte për zgjedhje korrekte e demokratike, që qytetarët e vendit në mënyrë të drejtpërdrejtë të shfrytëzojnë benefitin më të madh të demokracisë, të vendosin për veten e tyre. Çdo votë është e rëndësishme, sepse politikat që krijohen në nivel lokal janë politika që ju interesojnë secilit qytetar”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev. 
 
Partitë, ndërkohë, kanë filluar intensivisht punën për fushatën e ardhshme zgjedhore. Kanë filluar konsultimet e shtabeve zgjedhore me kandidatët e përzgjedhur për kryetarë komunash dhe me këshilltarët e ardhshëm komunalë, me të cilët po finishohen pikat kryesore që do të shfrytëzohen për të fituar besimin e votuesve më 15 tetor.
 
“Bashkimi Demokratik për Integrim në këto zgjedhje merr pjesë me 35 lista këshilltarësh, nga të cilat tre lista janë të përbashkëta me parti politike shqiptare  - në Ohër, Manastir dhe në Gazi-Babë – në dy të parat – listat kryesohen nga  kandidatët tanë. Me një fjalë, ne në këto gara hyjmë me 729 kandidatë për këshilltarë komunal”,- tha Fatmir Besimi nga BDI.
 
“Aleanca për Shqiptarët do të garojë pothuajse në të gjitha komunat ku janë të banuara me shqiptarë, përveç se në Bërvenicë, ku e kemi tërhequr sot kandidatin, duke mos dashur të dëmtohet vota shqiptare dhe të defaktorizohet vota e shqiptarëve në Bërvenicë, në të gjitha komunat tjera ne do të garojmë me kandidatët tanë dhe me listat për këshilltarë”,- u shpreh Naim Bajrami nga ASh.
 
“Lëvizja BESA merr pjesë gjithsej me 20 kandidatura për kryetarë komunash në të gjitha vendbanimet shqiptare dhe me kandidat të saj në qytetin e Shkupit. Gjithsej kemi 33 lista për këshilltarë në nivel republikan”,- tha Faton Fazliu nga Lëvizja BESA.
 
PDSh ka paraqitur kandidatë për kryetarë në 17 komuna, ndërsa PPD do të garojë në gjashtë komuna. LSDM nuk ka nxjerrë kandidatë në shumë prej komunave me shumicë shqiptare, si Çair, Tetovë, Gostivar dhe Kërçovë.
 
Nga VMRO-DPMNE kanë kandidatë për kryetarë në të gjitha komunat e vendit dhe në Qytetin e Shkupit, si dhe kandidatë për këshillat komunal.
 
ERSAN PAJAZITI