Maqedoni
Kuvend, ngjarjet e 27 prilli pjesë e pandashme e debatit
15.09.2017 17:40
Me pauza të njëpasnjëshme, kuvendi vazhdoi punimet e seancës së 12, ku diskutohet propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit...

Me pauza të njëpasnjëshme, kuvendi vazhdoi punimet e seancës së 12, ku diskutohet propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për studime mjekësore dhe përsosjen e vazhdueshme profesionale të doktorëve të mjekësisë, me procedurë të shkurtuar.
Edhe për këtë ligj, ashtu si për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, deputetët e opozitës kërkojnë procedurë të rregullt dhe debat të gjerë.
“Pse një ligj kaq i rëndësishëm miratohet me procedurë të shkurtuar. Konsideroj që Ligji për studime mjekësore duhet të jetë në procedurë të rregullt dhe të përfshihen edhe ekspertët edhe studentët dhe të gjithë të involvuart në ndryshimet e këtij ligji”,- theksoi Sasho Vasilevski nga VMRO-DPMNE.
Fjalimi i deputetit Vasilevski, i cili akuzohet se i ka hapur dyert e kuvendit gjatë ngjarjeve të 27 prillit, nxiti reagimin e shumicës. Deputetja Remenski kërkoi nga Vasilevski që fillimisht të kërkojë falje për aktin që ka kryer.
“Më 27 prill, ju ishit njeriu që ndihmoi dhe rrezikuat sigurinë e kolegëve tuaj në Kuvendin e RM-së dhe për këtë ekziston dokument mjekësor, për të cilin ju si doktor duhet të dini se ç’do të thotë në gjyq. Unë nuk mund të mbetem e nemitur ndaj debatit tuaj, pasi ju para se të debatoni duhet të kërkoni falje”,- tha Frosina Remenski nga LSDM.
Ndërhyrja e deputetes Remenski ishte shkas që deputetët e VMRO-së disa herë të kërkojnë pauza, edhe pse kryeparlamentari Xhaferi sugjeroi që të mos degjenerojë debati dhe të mos humbet kohë me pauza.
“Kërkoj një orë pauzë që të qetësohen gjakrat dhe ata që kanë nevojë për të reflektuar, ta bëjnë atë dhe të mos vazhdojë seanca në këtë drejtim”,- u shpreh Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
“Konsideroj se me asnjë reagim nuk duhet lejuar që debati të shndërrohet në diçka tjetër, ndryshe nga ajo që grupet e deputetëve u deklaruan edhe gjatë miratimit të rendit të ditës dhe përmbajtjes së saj, se do t’i mbështesin”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Në rend dite të kësaj seance, ndër të tjera, janë edhe pr/ligji për pagën minimale, ai për punëtorët e firmave të falimentuara dhe propozim-vendimi për konfirmimin e numrit të nënkryetarëve të kuvendit.
SHPËTIM NUREDINI
