Maqedoni

Raporti i PPS-së: janë dëgjuar 70% e përgjimeve

15.09.2017 18:02

Prokuroria Publike Speciale ka publikuar sot raportin për punën e saj në gjashtë muajt e fundit...

Sipas PPS-së, ky raport dallon nga të tjerët sipas akuzave të ngritura së fundmi. Në raport theksohet se për 6 muajt e fundit PPS ka ngritur gjithsej 18 aktakuza për 19 lëndë kundër 120 personave për 168 vepra penale.
 
Gjatë kësaj periudhe gjithashtu  janë hapur 7 hetime të reja kundër 25 personave fizikë dhe janë ndërmarrë masa hetuese kundër katër personave juridikë.
 
“Pa dyshim se ngritja e këtyre akuzave paraqet vetëm një hap më afër drejt plotësimit të mandatit që i është dhënë PPS-së në interes të qytetarëve të Maqedonisë. Unë dhe ekipi im jemi thellë të bindur se në procedurë adekuate gjyqësore do të dëshmojmë se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen me aktakuzë”,- thuhet në raport.
 
Në Raportin të PPS-së theksohet se prokurorët kanë arritur të dëgjojnë 70 për qind të materialeve të përgjuara në mënyrë të paligjshme. Kjo prokurori posedon 606.555 audio-incizime.
 
“Përfshirë datën e dorëzimit të këtij raporti, është analizuar përmbajtja e 424 589 audio-incizimeve të cilat i disponon kjo Prokurori Publike dhe janë përpunuar 1039 transkripta, ku në bazë të bisedimeve të përgjuara ka indikacione se ka vepra penale”,- thuhet në raportin e PPS-së.
 
Prokurorja Janeva thekson se gjatë analizës dhe përpunimit të materialeve ka vazhduar edhe procesi i ndarjes së bisedave private nga bisedat që janë në përpunim.
 
Në raport, Janeva shpreh bindjen se së shpejti do të gjendet zgjidhje adekuate ligjore me të cilat do të rregullohet pozita juridike e Prokurorisë Publike Speciale në kuptimin e sigurimit të mekanizmave ligjorë dhe largimin e të gjitha pengesave me qëllim mundësimin e Prokurorisë që deri në fund t’i hetojë veprat penale që janë në kompetenca të saj.
 
Raporti është dorëzuar në Kuvendin Republikan dhe Këshillin e Prokurorëve. Raporti paraqet pasqyrë të punës të kësaj prokurorie në periudhën prej 15 marsit deri më 15 shtator.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI