Maqedoni
Dorëzohen listat në KShZ, në garë nëntë parti dhe dy koalicione
15.09.2017 18:29
Nëntë parti dhe dy koalicione janë zyrtarisht në garë për zgjedhjet lokale të 15 tetorit...

LSDM në këtë zgjedhje del me një numër të madh të kandidatëve, por jo me kandidatë për komunën e Çairit. BDI nuk nxjerr kandidatë për Qytetin e Shkupit. Aleanca për Shqiptarët tërhoqi kandidatin e saj, Nasuf Sinani, për komunën e Bërvenicës, për të mos rrezikuar fitoren e kandidatit shqiptar.
Këto janë risitë që zbuloi dorëzimi i listave nga partitë dhe koalicionet pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale të 15 tetorit. Tashmë janë definitive emrat e kandidatëve në garë.
Për qytetin e Shkupit garojnë Petre Shilegov nga LSDM, Koce Trajanovski nga VMRO-DPMNE, Nafije Selmani nga Lëvizja BESA, Bekim Fazliu nga PDSh dhe Naim Bajrami nga Aleanca për Shqiptarët.
Në komunën e Tetovës, garojnë Teuta Arifi nga BDI, Bardhyl Dauti nga PDSh, Adnan Aziri nga Aleanca për Shqiptarët dhe Bilall Kasami nga BESA. Ky i fundit sot ka njoftuar edhe dorëheqjen nga posti i deputetit.
Në Gostivar, gara e partive shqiptare zhvillohet mes Nevzat Bejtës nga BDI, Arben Taravarit nga Aleanca, Sabajdin Izeirit nga PDSh, Asaf Ademit nga BESA dhe Shpat Hiseinit nga RDK/UNITETI.
Në Kërçovë, Fatmir Dehari nuk do të ketë kundërkandidat shqiptar, pasi partitë e tjera garuan vetëm me lista kandidatësh për këshilltarë.
Në Dibër garojnë Ruzhdi Lata nga BDI, Xhemail Çupi nga BESA, Arben Agolli nga Aleanca dhe Petrit Klenja nga PDSh.
Në Strugë, gara zhvillohet mes Ziadin Selës - Aleanca, Ramiz Merkos - BDI, Lavdrim Elmazit – BESA, Mendi Asanit – PDSh.
Në Çair garojnë Visar Ganiu – BDI, Idriz Orana – PDSh, Faruk Avdiu – Aleanca, Zeqirja Ibrahimi – BESA.
Në Saraj, në garë janë Blerim Bexhetit nga BDI, Bashkim Bakiu nga BESA, Ekrem Alija nga Aleanca dhe Sefedin Aliu nga PDSh.
Në Haraçinë kandidohen Milikije Halimi – LSDM, Isen Ramadani – Aleanca, Ali Ismajli – BESA dhe Isuf Bislimi – BDI.
Në Likovë kandidojnë Bardhyl Destani – PDSh, Hadi Osmani – LSDM, Erkan Arifi – BDI, Bekim Afuzi – Aleanca dhe Shaban Zendeli - BESA.
Enver Pajaziti është kandidat i pavarur për komunën e Bërvenicës, që përkrahet nga BDI dhe PDSh.
Janë kompletuar edhe listat e kandidatëve të pavarur, më saktë janë 48 lista të pavarura për këshilltarë dhe për 27 kandidatë për kryetarë komunash.
Komisionet zgjedhore komunale në afat prej 48 orësh nga pranimi i listës së kandidatëve duhet të vlerësojë nëse lista është dorëzuar në përputhje me afatin e paraparë me Kodin Zgjedhor.
Listat që do të dorëzohen pas skadimit të afatit ose që do të kenë parregullsi të cilat nuk janë përmirësuar, nuk do të merren parasysh.
REXHEP QAMILI
