Raporti i Priebes: PSP të vazhdojë punën, deri tani asnjë dënim

16.09.2017 13:40

Bashkimi Evropian ka publikuar raportin e grupit të ekspertëve në krye me Reinhard Priebe....

Bashkimi Evropian ka publikuar raportin e grupit të ekspertëve në krye me Reinhard Priebe,  në lidhje me sundimin e së drejtës në vend. Në raport theksohet se është bërë shumë pak në lidhje me skandalin e përgjimeve prandaj PSP-ja duhet të vazhdojë me punën për ndjekjen penale të përgjegjësve për përgjimet e  paligjshme.

"Përcaktimi i përgjegjësisë penale për përgjimet e paligjshme është thelbësore dhe si e tillë kjo gjë duhet të vazhdojë të zbatohet. Pavarësisht kritikave, obstrukioneve  dhe qëndrimeve jo-bashkëpunuese të një game të gjerë të institucioneve kryesore në shtet, duke përfshirë edhe përpjekjen e presidentit për t'i falur të gjithë edhe ata që potencialisht do të hetohen, PSP ende po tregon përkushtim dhe kompetencë. Megjithatë, kufizimet dhe pengesat e mandatit të PSP e kanë ngritur çështjen e vazhdimësisë që është thelbësore për sigurimin e përgjegjësisë penale. Ka mundësi të ndryshme për të siguruar këtë vazhdimësi. Një bazë e fortë ligjore për këtë është më se e nevojshme”, thuhet në  raport.

Ekipi i Pribes vë në dukje se gjykata nuk ka vepruar me përpikmëri në rastet e PSP-së, dhe nga totali prej 20 aktakuzave të ngritura, deri më tani janë konfirmuar vetëm tre. Raporti  gjithashtu vëren se deri më tani, megjithëse kanë kaluar dy vjet, askush nuk është dënuar në bazë të akuzave të PSP-së.

“Megjithëse kanë kaluar afro dy vjet që kur PSP-ja ka filluar punën, askush nuk është dënuar në mënyrë efektive, duke krijuar një perceptim të mosndëshkimit. Është thelbësore për të siguruar përgjegjësinë penale të të gjithë autorët e supozuar, pavarësisht nga përkatësia politike".

Parandalimi dhe shtypja e korrupsionit dhe nepotizmit në të gjitha nivelet e qeverisjes duhet të jetë prioritet i lartë.

“Gabimet e së kaluarës nuk duhet të përsëriten dhe një formë e kapjes së shtetit nuk duhet të zëvendësohet me një tjetër. Disa nga veprimet që duhet të zbatohen në të ardhmen e afërt, në mënyrë të pashmangshme do të jenë një test në këtë drejtim”, thuhet në raportin e Priebes.