Analistët: Konkursi për poste udhëheqëse me shumë të panjohura
Sipas tyre, dilemat mbeten aq më tepër kur bëhet fjalë për poste publike, për të cilat para së gjithash përgjegjësi mbajnë partitë në pushtet..............

Konkursi i Qeverisë për angazhimin e 379 personave në poste udhëheqëse në institucionet shtetërore, është një ide e mirë, por ngelen shumë dilema, e sidomos parashtrohet pyetje se kush do të bëjë selektimin dhe sa ky selektim do të jetë transparent, vlerësojnë ekspertët.
Sipas tyre, dilemat mbeten aq më tepër kur bëhet fjalë për poste publike, për të cilat para së gjithash përgjegjësi mbajnë partitë në pushtet.
“Vetë selektimi bëhet fjalë për një ide të mirë, por ngelen shumë çështje të hapura. Këtu bëhet fjalë për poste publike, për të cilat para së gjithash janë përgjegjës partitë në pushtet. Por, këtu mbetet dilema se kush do të bëjë selektimin. Ja të marrim parasysh që do të paraqiten shumë kuadro, do të jenë të etniteteve të ndryshme, do të jenë partiak apo jopartiak, e kështu me radhë. Pra, kush do të jenë ata që do të jenë selektuesit, sepse nga këta persona do të kërkohet përgjegjësi e madhe”, deklaroi profesori universitar, Ilija Acevski.
Analisti, Ibrahim Mehmeti, vlerësojnë se konkursi qeveritar mund të paraqes problem edhe në përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, sepse përmes konkursit nuk mund të arrihet bilanci i duhur sidomos kur flasim për poste udhëheqëse.
“Nëse flasim për përfaqësimin e shqiptarëve që është vetëm një problem, këtë përgjigje duhet ta japë partia shqiptare në pushtet, sepse ata janë bashkë vendimmarrës në shpalljen e këtyre konkurseve edhe pse unë mendoj që kjo nuk është mënyrë e mirë për t’i adresuar këto probleme të cilat ekzistojnë. Ne kemi shumë probleme qoftë në diplomaci, qoftë në institucionet e tjera dhe në këtë mënyrë mund të shkaktohen problem, i cili do të ketë pasoja afatgjate nëse trajtohet në këtë mënyrë”, theksoi analisti, Ibrahim Mehmeti.
Ekspertët janë të mendimit se të gjithë ata që vlerësojnë se posedojnë aftësi për post të caktuar, të aplikojnë, por pasi që Maqedonia është një rreth i vogël, mund që dështimi të jetë i madh nëse këto poste nuk do të jenë në duart e duhura. Pra, sipas tyre, çdo pikë pozitive apo negative do të shkojë në kurriz të partive politike. (Sanije Kasami, TVM2)
