Nikollovski, paguam 60 milion euro për subvencione për tre muaj

16.09.2017 17:42

Në tre muajt e kaluar morëm një sërë masash, ofruam vendime dhe ndryshuam ligje....

Në tre muajt e kaluar morëm një sërë masash, ofruam vendime dhe ndryshuam ligje – çdo hap i yni ishte vetëm në interes të bujqve, sepse zhvillimi i bujqësisë është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë, theksoi sot ministri i Bujqësisë, Pyjeve dhe Menaxhimit të Ujërave, Lupço Nikollovski.

Sipas tij kjo periudhë ka qenë turbulente kur aktivitetet bujqësore janë në pikun e tyre të plotë dhe se Qeveria e re po ballafaqohet me obstruksione nga pushteti paraprak që për ta si Qeveri ka qenë sfidë dhe nxitje menjëherë të orientohen në zgjidhjen e çdo problemi dhe marrjen e masave përkatëse.

“Zhbllokuam pagesën e subvencioneve, për tre muaj janë paguar 60 milionë euro për subvencione, me ndryshimin  e Programit për ndihmë financiare në bujqësi dhe zhvillim rural  siguruam masa shtesë për përkrahje financiare, publikuam dy shpallje për ndarjen e tokës bujqësore shtetërore me qira për sipërfaqe deri në tre hektarë dhe mbi tre hektarë, e vazhduam afatin për aplikimin e subvencioneve për Programin për përkrahje financiare për vitin 2017 dhe afatin për aplikimin e IPARD 2 Programit” – u shpreh ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski.

Sipas Nikollovskit përmes Izraelit janë miratuar disa pilot-projekte. Do të implementohen teknologji të larta në sektorin e ujitjes në Maqedoni.

Lidhur me prodhimin organik ministri i Bujqësisë paralajmëroi se në rreth dy javë  me Misionin e Zvicrës në vend do të promovojnë Regjistrin e prodhuesve të ushqimit organik dhe përkrahjen shtesë që vendi do t’i japë  këtyre prodhuesve. (Flutura Rahimi – Latifi, TVM2)