Debat mbi tolerancën ndëretnike, religjioze dhe kulturore
“Mjediset urbane, hapësira të jetës së përbashkët” ishte tema e panel-diskutimit, në të cilin u debatua mbi çështjen e tejkalimit të paragjykimeve dhe tolerancës etnike, religjioze dhe kulturore.....

“Mjediset urbane, hapësira të jetës së përbashkët” ishte tema e panel-diskutimit, në të cilin u debatua mbi çështjen e tejkalimit të paragjykimeve dhe tolerancës etnike, religjioze dhe kulturore.
Deputetja, Ermira Mehmeti, theksoi se nuk është vetëm aktivizimi politik i vetmi dimension që mund të kontribuojë në ndërtimin e tolerancës ndëretnike, pasi sipas saj, ekzistojnë edhe sfera të ndryshme kulturore, me të cilat duhet të investojmë për të ndërtuar një model integrues kulturor.
“Momenti politik nëpër të cilin kalon Maqedonia për momentin, është realisht sfidues dhe ne duhet ta parashtrojmë këtë pyetje, ka po shkojnë marrëdhëniet ndëretnike dhe koncepti i kohezionit ndëretnik, në të cilin kemi investuar. A mund të themi se dy realitete paralele siç janë Çarshia e Vjetër dhe Shkupi 2014, në fakt janë duke i shërbyer këtij modeli integrues kulturor? Nuk jam tërësisht e bindur. Unë dua të besoj se ne bashkërisht do të jemi një elitë kulturore, shkencore, politike, pse jo aktivist të shoqërisë civile, të cilët do të arrijnë që qytetin e Shkupit, ta rikthejnë ne këtë koncept bazik”, deklaroi deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti.
Profesorit universitar, Vllado Popovski, vlerëson se me përdorimin e fjalorit nacionalist gjatë zgjedhjeve, klasa politike në vend vazhdon të paraqitet si e papërgjegjshme ndaj shfaqjes së vlerave inkluzive. Ndërsa analisti, Albert Hani, thekson nevojën për një komunikim më të avancuar ndërkulturor, me qëllim të tejkalimit të paragjykimeve.
“Fjalimet në fushatën parazgjedhore ishin dëshpëruese, veçanërisht për maqedonasit. Të gjitha këto deklarata janë jashtë standardit që qytetarët kanë dhe besoj se duhet më shumë të ndërtojmë qytetari të përbashkët mes shqiptarëve dhe maqedonasve, për të mos qenë robër të politikës, kur ajo vlerëson në raste të caktuara që me fjalime të tilla mund të përfiton vota”, theksoi profesori universitar, Vllado Popovski.
“Atë që bëjmë ne si gabim të madh, si aktivist të Shoqatës Civile, por edhe politikëbërës, është se ne fokusohemi, transformohemi në transformimin e personave apo individëve .Mirëpo synimi ynë nuk duhet të jetë transformimi i njerëzve, por thjesht duhet të jetë në transformimin e komunikimit të njerëzve, transformimi i komunikimit, d. m. th. neve si individ, mirëpo edhe komunikimi mes objekteve, mes xhamive dhe kishave, mes Çarshisë dhe Qendrës”, potencoi përfaqësuesi i Sektorit Civil, Albert Hani.
Panel-debati u organizua nga Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni. (Zejxhan Osmani, TVM2)
