Konferencë e NATO-s në Tiranë, Pavel: Do vazhdojmë me politikën e dyerve të hapura; Kollçaku: Mbështesim misionin e NATO-s në Afganistan
NATO do të vazhdojë të ndjekë politikën e dyerve të hapura....

NATO do të vazhdojë të ndjekë politikën e dyerve të hapura, deklaroi në Tiranë, kryetari e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Gjeneral Petr Pavel.
“NATO është shprehur vazhdimisht për politikën e dyerve të hapura dhe nuk ka ndryshim të këtij qëndrimi. Janë disa vende aspirate për të qenë pjesë e kësaj aleance që janë duke punuar në reformën e fushës së mbrojtjes. Sapo ato të arrijnë në nivelin e përcaktuar për anëtarësim, besoj se procesi i negocimit do të nisë për t’i lejuar të bëhen anëtarë me të drejta të plota”, tha gjenerali Petr Pavel gjatë një konference të përbashkët për shtyp me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA të Shqipërisë, gjeneral Bardhyl Kollçaku, në kuadër të Konferencës së Komitetit Ushtarak të NATO-s në Tiranë.
I pyetur nga gazetarët për përpjekjet e shtetit të Kosovës për krijimin e Forcës së Armatosur të Kosovës, gjeneral Pavel tha se mes Serbisë dhe Kosovës nuk ka ende një marrëveshje por krijimi i ushtrisë duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendeve.
Ndërkohë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA të Shqipërisë, gjeneral Bardhyl Kollçaku tha se Shqipëria do të mbetet e angazhuar për sa kohë të mbetet e nevojshme në misionin e NATO-s ‘Resolute Support’ në Afganistan.
