Botë

Asambleja e OSBE-së, liderët i diskutojnë temat e nxehta të botës; Zaevi në Nju Jork, konfirmohen takimet

18.09.2017 13:53

Udhëheqësit botërorë janë mbledhur në Nju Jork, ku do të nisë punimet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara...

Udhëheqësit botërorë janë mbledhur në Nju Jork, ku do të nisë punimet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Pjesa më e madhe e vëmendjes do të jetë te presidenti amerikan, Donald Trump, i cili do t’i drejtohet Asamblesë për herë të parë, të martën, por vëmendjen e mediave e ka marrë edhe mungesa e presidentit rus, Vladimir Putin, dhe kancelares gjermane, Angela Merkel.

Diskutimet pritet të përqendrohen në pikat më të nxehta në botë, ku prioritet mbetet  Koreja e Veriut me programet e saj të raketave bërthamore dhe balistike. OKB përballet gjithashtu me krizën humanitare të mbi 400 mijë myslimanëve “Rohingya”, të cilët kanë ikur nga dhuna në Mianmar dhe kanë hyrë në Bangladesh. Edhe terrorizmi e ngrohja globale pritet të jenë subjekt i diskutimeve të nxehta dhe mosmarrëveshjeve midis tyre.

Në mesin e shefave të qeverive, në Asamblenë e OKB-së merr pjesë edhe kryeministri Zaev i shoqëruar nga shefi i Diplomacisë, Nikolla Dimitrov, dhe ministri pa portofol, i angazhuar për Diasporën, Edmond Ademi.

Është paraparë që Zaevi të ketë fjalim në konferencën tematike "Partneritet i hapur qeveritar" dhe do të marrë pjesë edhe në  panelet e tjera tematike gjatë këtij takimi botëror të presidentëve të shteteve dhe shefave të qeverive.

Gjithashtu janë paraparë takime me  sekretarin e përgjithshëm të KB-së, Antonio Guteresh, me kryetarin e Këshillit të Europës, Donald Tusk, me përfaqësuesen e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Federika Mogerini, dhe me komisarin për zgjerim të BE-së, Johanes Han.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmbyll punimet më 25 shtator.