Maqedoni

Sondazhi i IRI-t për Maqedoninë, rritet optimizmi për situatën politike dhe integrimet

18.09.2017 15:27

Sondazhi i publikuar sot nga Qendra për hulumtime të sondazheve e Institutit Ndërkombëtar Republikan...

Sondazhi i publikuar sot nga Qendra për hulumtime të sondazheve e Institutit Ndërkombëtar Republikan, tregon se ka rritje të mprehtë të optimizmit për situatën politike në vend dhe perspektivat për anëtarësim në BE.

Një ndryshim rrënjësor nga sondazhi i mëparshëm në të cilin qytetarët ishin pesimistë rreth stabilitetit dhe trajektores së vendit, thotë Jan Surotchak, drejtori rajonal i IRI-it për Europë.

44% e qytetarëve të anketuar në gusht e vlerësuan si të qetë dhe stabile situatën e brendshme politike, kundrejt 5% që ishin optimist në muajin mars. Por, 44% është edhe numri i të anketuarve që përshkruajnë mjedisin aktual politik si “të tensionuar dhe pasigurte”, edhe pse në këtë grafë numri në mars ishte 66%. Edhe numri i atyre që e vlerësonin situatën si “kritike dhe jostabile” u zvogëlua për 22 pikë nga 32% në mars, në 10% në gusht të këtij viti. Është shtuar përqindja edhe e qytetarëve optimistë mbi perspektivat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Nga 13 për qind në mars, ky numër është rritur në 41 për qind në muajin gusht. Ndjenja e rikthyer e stabilitetit që pasqyrohet në sondazh ka kontribuar në një shqyrtim më optimist të ekonomisë.

33% tani mendojnë se ekonomia do të përmirësohet në dy vitet e ardhshme, që shënon rritje prej 12 pikë nga marsi. Edhe pesimizmi mbi cilësinë e jetës në Maqedoni ka rënë, numri i të anketuarve që vlerësojnë se cilësia e jetës së tyre përkeqësohet ka rënë prej 38 për qind në mars, në 24 për qind në gusht.

Sondazhi për Qendrën për Hulumtime të Sondazheve u zhvillua nga “Brima firma” për hulumtim të tregut, nga 4 deri më 12 gusht 2017, në intervista të drejtpërdrejta me qytetarët, me mostër që përfaqëson kombësinë, dhe prej 1,108 të intervistuarve mbi moshën 18 vjeç. Margjinat e gabimit janë plus minus 3% me shtrirje mesatare të nivelit të besueshmërisë prej 95 për qind. Shkalla e përgjigjes ishte 71 për qind. Hulumtimi u zhvillua me përkrahjen e USAID-it.