Maqedoni
Kontesti me Greqinë për emrin, Karakaçanov: Jemi të gatshëm t’u ndihmojmë
18.09.2017 15:40
Bullgaria e përkrah unitetin shtetëror dhe integritetin territorial të Maqedonisë dhe është e gatshme të ndihmojë...

Bullgaria e përkrah unitetin shtetëror dhe integritetin territorial të Maqedonisë dhe është e gatshme të ndihmojë në zgjidhjen e kontestit për emrin me Greqinë, porositi ministri bullgar i Mbrojtjes, Krasamir Karakaçanov, pas takimit me homologen e tij, Radmilla Shekerinska.
Karakaçanov potencoi se Bullgaria nuk ka probleme me emrin kushtetues të vendit dhe porositi të mos krijohen probleme aty ku nuk ka.
"Këtë dua ta potencoj me qëllim që t'i ndërpres spekulimet politike - e përkrahim unitetin shtetëror dhe integritetin territorial të Republikës së Maqedonisë. Nuk kemi problem me emrin e RM-së, e njohim vendin nën emrin kushtetues. Jemi të gatshëm të ndihmojmë në zgjidhjen e kontestit me vende të tjera me qëllim që më në fund të hapen dyert e Maqedonisë për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO… Kush interesohet për historinë e çështjes maqedonase jo vetëm pasi është krijuar Republika e Maqedonisë, për këtë mund të jap mësime të posaçme si historian. Çdo herë kam konsideruar se nuk duhet të krijohen probleme aty ku nuk ka, problem të tillë në Bullgari nuk ka”,- deklaroi ministri i Mbrojtjes i Bullgarisë, Krasamir Karakaçanov.
Shekerinska: Marrëveshja me Bullgarinë, jo vetëm në letër
Ministrja Shekerinska potencoi se marrëveshja bilaterale që e kanë nënshkruar të dy vendet nuk ka mbetur vetëm në fjalë.
"Kjo marrëveshje dhe ajo që ka ndodhur pas nënshkrimit tregon se të dy shtetet janë të vetëdijshme se vetëm përmes fqinjësisë së mirë rajoni ynë mund të shkojë përpara dhe ta garantojmë sigurinë tonë të përbashkët",- tha ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë, Radmilla Shekerinska.
Nga nënshkrimi i marrëveshjes më 1 gusht janë realizuar takime pune në Shkup. Dy ekipe eksperte kanë punuar gjatë periudhës së kaluar në përpunimin e planit për bashkëpunim më të afërt dhe partneritet në pjesën e mbrojtjes. Shekerinska shtoi se që në nëntor është e mundur të bëhen konsultime kushtuar pasqyrës mbrojtëse strategjike.
BESIM ABDULLAI
