Maqedoni

Osmani: Mbështetje nga vendet mike për eurointegrimet; Pejoviq: Mali i Zi i gatshëm ta ndiihmojë Maqedoninë

18.09.2017 15:53

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, ishte nikoqir i takimit të tretë me radhë të komitetit të përbashkët mes Maqedonisë dhe Malit të Zi...

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, ishte nikoqir i takimit të tretë me radhë të komitetit të përbashkët mes Maqedonisë dhe Malit të Zi, në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunim mes dy vendeve për integrim në BE. Osmani para takimit theksoi se këto takime krijojnë bazë për këmbimin e përvojave të cilat ndihmojnë në avancimin e procesit të integrimit.
 
“Procesi i eurointegrimeve të Maqedonisë fatmirësisht nuk paraqet rast të izoluar në Ballkan, por është në kahjen e njëjtë me frymën e re të optimizmit europian rajonal e cila u zgjerua edhe  në vendet anëtare me vendet e BE-së. Ky progres është i dukshëm në Mal të Zi dhe kjo paraqet një bazë të mirë si për progresin tonë ashtu edhe për progresin e përgjithshëm rajonal, por gjithsesi për ne është shumë i rëndësishëm që në këtë rrugë kemi mbështetjen e vendeve tona mike, siç e konsiderojmë edhe mbështetjen e Malit të Zi”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.
 
Mali i Zi dikur ndiqte hapat e Maqedonisë për eurointegrim, si vend i parë që nënshkroi MSA-në, ndërkaq sot është e gatshme ta ndihmojë Maqedoninë në këtë proces, theksoi ministri për çështje evropiane, Aleksandar Pejoviq.
 
“Sot në këtë komitet dhe në takimet bilaterale, në parlament dhe në qeveri do të bisedojmë se si mund të ndihmohemi politikisht. Mali i Zi para tre muajsh u bë anëtare e NATO-s dhe në këtë kontekst keni  përkrahje politike, përkrah asaj për integrim në BE. Jemi këtu që sa më parë të bëheni anëtare e NATO-s”,- theksoi ministri për çështje europiane në Mal të Zi, Aleksandar Pejoviq.
 
“Në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim, kemi obligim të themelojmë komitete për shkëmbim eksperiencash me vende kandidate. Në këtë vijë vazhdon bashkëpunimi edhe me Shqipërinë dhe Kosovës, dhe së shpejti do të organizohen takime edhe me këto vende”,- premtoi Osmani.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU