Rikthehen stuhitë në Karaibe, rreziku i ri mban emrin “Maria”
Karaibet ende nuk e kanë marrë veten nga shkatërrimi i uraganit “Irma”...

Karaibet ende nuk e kanë marrë veten nga shkatërrimi i uraganit “Irma”, por një tjetër kërcënim i është drejtuar vendit. “Maria” pritet të kthehet në një stuhi të fuqishme e të rrezikshme, teksa i afrohet ishujve.
Stuhia, e cila për momentin është e kategorisë së parë, pritet të fuqizohet ndjeshëm përgjatë dy ditëve në vijim, e do të godasë ishujt qysh pasditen e kësaj të hëne. Kjo e fundit po vijon nëpër të njëjtën trajektore si uragani që shkatërroi thuajse tërësisht rajonin më herët gjatë këtij muaji, që la të paktën 37 viktima dhe shkaktoi dëme miliarda dollarëshe.
“Maria” pritet të godasë me erëra prej rreth 137 km në orë, shumë më pak se shpejtësia e erës së uraganit “Irma”, por që mund të shkaktojë dëme të mëdha, marrë parasysh se në ishujt e Karaibeve shtëpitë që kanë mbetur në këmbë kanë pësuar dëme të jashtëzakonshme.
