Koalicionimi BDI-LSDM, Osmani: Të tjerët, të lirë të bashkëpunojnë me VMRO-në
Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, thotë se bashkëpunimi i partisë së tij me LSDM-në...

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, thotë se bashkëpunimi i partisë së tij me LSDM-në në zgjedhjet lokale është bashkëpunim mes partnerëve të koalicionit qeveritar. Edhe partitë e tjera shqiptare mund të bëjnë koalicione me VMRO-në, thotë zëdhënësi i integristëve.
“Midis LSDM-së dhe BDI-së ekziston disponim për bashkëpunim në nivelin lokal, sepse ne kemi bashkëpunim edhe në shkallë shtetërore dhe bashkëpunimi i këtij koalicioni dëshirojmë që të vazhdojë... Mund të ketë edhe alternativa, koalicione, si për shembull VMRO-DPMNE me partitë e tjera shqiptare, kështu që qytetarët shqiptarë do të kenë dy oferta, koalicionin e LSDM-së dhe BDI-së në disa komuna dhe të VMRO-DPMNE-së me partitë e tjera shqiptare, dhe kjo ndoshta është më e mirë për qytetarët për të bërë një zgjidhje”,- deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
BESA: BASHKËPUNIMI BDI-LSDM, STRATEGJI PËR MBAJTJEN E PUSHTETIT LOKAL
Por, Lëvizja BESA thotë se në këtë mënyrë BDI po tenton të mbajë pushtetin lokal me anë të votave të partive maqedonase.
“Marrëveshje parazgjedhore me parti maqedonase nuk bëjmë. Nuk jemi si BDI, e cila përmes votave të partive maqedonase dëshiron ta ndryshojë vullnetin politik të shqiptarëve, siç është rasti me komunën e Çairit, Tetovës e Gostivarit. Ne e pranojmë vullnetin e shqiptarëve, por nuk duam që maqedonasit të ndërhyjnë në përfaqësimin tonë”,- thonë nga Lëvizja BESA.
ALEANCA PËR SHQIPTARËT: KOALICION VETËM ME PARTITË SHQIPTARE
Nga Aleanca për Shqiptarët nuk përjashtojnë mundësisë për koalicionim me subjekte politike shqiptare në rrethin e dytë, por kategorikisht shprehen kundër bashkëpunimit me partitë maqedonase.
“Sa i përket koalicioneve mes subjekte politike maqedonase, nuk është biseduar deri më tani dhe realisht nuk ka pasur një disponim të tillë në radhët e subjektit tonë. Koalicioni më i pranueshëm për ne do të ishte ai me votuesin shqiptarë për t’i bindur në ofertën, kandidatët, programin dhe përcaktimin politik të Aleancës për Shqiptarët”,- thuhet në reagimin e kësaj partie. (Ersan Pajaziti, TVM2)
