Kuvendi fillon debatin për pagën minimale, paga minimale do të jetë 12.000 denarë
Paga minimale do të jetë 12.000 denarë, përfshi edhe të punësuarit në industrinë e lëkurës...

Paga minimale do të jetë 12.000 denarë, përfshi edhe të punësuarit në industrinë e lëkurës, tekstilit dhe industrinë e këpucëve.
Kuvendi filloi debatin për Projekt-ligjin për rritjen e pagës minimale, me të cilin zyrtarisht duhet të fillojë pagesa e pagës minimale në shumë prej 12.000 denarë. Për këtë pikë janë paraqitur për diskutim 35 deputetë, kryesisht nga VMRO-DPMNE. Sipas opozitës, me projektligjin shkelet Kodi Zgjedhor dhe merret vendim populist, për qëllimet parazgjedhore.
“Janë vënë kritere pa asnjë logjikë ekonomike, për subvencionim të pagës minimale, megjithatë kjo nuk u intereson, juve nuk u intereson rritja ekonomike, juve u intereson vetëm rezultati zgjedhor, prandaj kemi propozim ligj të këtillë populist”,- deklaroi Dragan Cuklev nga VMRO-DPMNE.
Mazhoranca i mohoi akuzat, duke theksuar se projektligji nuk është marketing politik parazgjedhor, por ligj me dimension social, që është në kuadër të partive me orientim majtist, siç është LSDM.
Ndërkaq, paraqitja e një numri aq të madh të deputetëve të opozitës për diskutim, sipas LSDM-së, ka për qëllim stërzgjatjen e miratimit të këtij ligji.
"Paraqitja e 30 deputetëve të opozitës për diskutim për këtë propozim zgjidhje ligjore dhe stërzgjatja e debatit ka për qëllim obstruimin që kuvendi të jetë efikas. Këtë e presim edhe për projekt ligjet e tjera, mirëpo ne do të punojmë edhe ndonjë ditë më shumë dhe ligjet do të miratohen”,- theksoi Vasko Kovaçevski nga LSDM.
Për këtë qëllim, në muaj do të ndahen 1,5 milionë euro mjete buxhetore, me të cilat do të mbështeten kompanitë që ta paguajnë këtë shumë të pagës minimale.
Në kuadër të seancës së 12 u miratuan ndryshimet e Ligjit për studime mjekësore dhe avancim të vazhdueshëm profesional të doktorëve të mjekësisë, ndërsa në rend dite janë edhe projektligjet për zgjidhjen e statusit të punëtorëve të firmave të falimentuara dhe për pezullimin e taksës radiodifuzive. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
