Anulohet seanca për rastin “Sopoti”, Fetai: Procesi gjyqësor të fillojë sa më shpejt
Gjykata Penale anuloi për më 8 tetor seancën e parë gjyqësore për rastin “Sopoti”...

Gjykata Penale anuloi për më 8 tetor seancën e parë gjyqësore për rastin “Sopoti”, prej kur Prokuroria Speciale e mori lëndën për hetim për këtë rast, pasi gjykatësi i lëndës është në udhëtim zyrtar.
Prokurorja Speciale, Fatime Fetai, kërkoi nga organet gjyqësore që të përshpejtohet i gjithë procesi gjyqësor që po shtyhet për vite me radhë.
“Seanca e sotme u anulua për më 9 tetor për arsye se gjykatësja apo kryetarja e këshillit është në udhëtim zyrtar jashtë shtetit”,- deklaroi prokurorja speciale, Fatime Fetai.
“Është radha e parë që Prokuroria Speciale përfaqëson akuzën ndaj të akuzuarve në rastin “Sopoti”, por për shkaqe objektive gjykatësi, i cili ka kompetencë për këtë rast, është në udhëtim zyrtar dhe nuk kishte kushte për t’u mbajtur seanca”,- theksoi avokati mbrojtës, Vullnet Paçuku.
PPS në korrik të këtij viti mori në kompetenca të saj rastin “Sopoti”, për të cilin tha se në materialet e përgjuara në të ashtuquajturat “bomba” dëgjohet se si ish-funksionarë të lartë të VMRO-DPMNE-së konsultohen për mënyrën se si mund t’u falej shqiptarëve të dënuar pjesa e mbetur e dënimit pa i shpallur të pafajshëm, pasi nëse shpallen të pafajshëm, sipas tyre, do të diskreditohej i tërë sistemi gjyqësor.
11 shqiptarë janë dënuar me 156 vite burg për terrorizëm. Ata u shpallën fajtorë për vendosjen e një mine në vitin 2003 në Sopot të Kumanovës, ku mbetën të vrarë dy ushtarë polakë të forcave të NATO-s dhe një shoqërues civil.
Gjashtë prej personave të dënuar kanë vuajtur mbi 7 vite burg, ndërsa 5 të akuzuar të tjerë u dënuan në mungesë. (Rexhep Qamili, TVM2)
