Botë

Norvegji, shefi i anti-krimit dënohet për korrupsion

19.09.2017 09:24

Një zyrtar i lartë i policisë norvegjeze është dënuar me 21 vjet burg për marrje ryshfeti dhe ndihmë ofruar një trafikanti droge...

Eirik Jensen, shef për luftimin e krimit të organizuar në kryeqytetin Oslo, ishte arrestuar në vitin 2014, për ndihmën e dhënë në trafikimin e rreth 14 tonelatava kanabis, të cilat kanë hyrë në Norvegji në periudhën 2004-2013. Gjykata tha se ai kishte pranuar të paktën 71 mijë e 300 euro për të ndihmuar në kontrabandimin e tonelatave të hashashit në Norvegji. Avokati mbrojtës mohon që Jensen të ketë shpërdoruar detyrën dhe ka deklaruar se ka në plan ta apelojë vendimin. 
 
Dënimi prej 21 vjet për korrupsion është maksimumi që lejon ligji norvegjez dhe raste të tilla përbëjnë ngjarje të rralla në vendin nordik. Norvegjia është vendi i 6 në botë në listën e vendeve më pak të korruptuara. 
 
Trafikanti, Gjermund Cappelen, pas arrestimit pranoi trafikimin e hashashit dhe u kthye në dëshmitar ndaj Jensen. Dënimi i tij u reduktua në 15 vjet, pikërisht për shkak të bashkëpunimit që ekspozoi ish-oficerin e lartë.