Botë

Dhuna në Mianmar, Suu Kyi: Nuk i trembem kontrollit ndërkombëtar

19.09.2017 11:03

Presidentja e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, deklaron se qeveria e saj nuk i druhet një kontrolli ndërkombëtar për rolin e saj në menaxhimin e krizës së popullsisë Rohingia....

Ky ka qenë reagimi i parë i saj në lidhje me dhunën, që ka detyruar rreth 400 mijë myslimanë Rohingia të emigrojnë drejt Bangladeshit. Suu Kyi është përballur me kritika të shumta sa i takon përgjigjes së saj ndaj krizës, por ajo ka deklaruar se shumica e myslimanëve nuk janë larguar nga shteti dhe se aktet e dhunës kanë marrë fund.
 
Në fjalimin e saj në Parlamentin e Mianmarit, Suu Kyi tha se ndjente keqardhje për njerëzit e përfshirë në konflikt dhe se qeveria ishte e angazhuar për të gjetur një zgjidhje afatgjatë për të gjitha komunitetet. Liderja e Mianmarit, që ka vendosur të bojkotojë Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, tha megjithatë se dëshiron që komuniteti ndërkombëtar të informohet për atë që po bëhet nga kabineti i saj. 
 
Shteti Rakhine është përfshirë nga trazirat dhe dhuna sporadike prej vitesh, por kriza aktuale filloi në gusht me një sulm të armatosur ndaj postoblloqeve të policisë, ku mbetën të vrarë 12 persona. Për sulmin u fajësua grupi i ri militant, Ushtria Shpëtimtare Arakan Rohingia.