Maqedoni

Osmani, raport për 100 ditëshin e punës rreth integrimeve

19.09.2017 12:02

Zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani, ka raportuar për punën 100 ditëshe të qeverisë në planin e integrimeve euroatlantike...

Në këtë drejtim, Osmani nënvizoi vizitën e një delegacioni qeveritar në Bruksel, ku është siguruar mbështetje për debllokimin e eurointegrimeve. Po ashtu me vizitën e eurokomisarit Han, i cili mori pjesë edhe në një mbledhje të qeverisë, qeveria mori përsipër implementimin e të gjitha reformave të nevojshme për debllokimin e integrimeve.
 
Osmani përmendi edhe themelimin e grupit punues në nivel ministrash për kontrollimin e realizimit të reformave, respektivisht kontrollin mbi planin 3-6-9 e që, sipas tij, plani gjendet në fazën finale të pjesës së parë.
 
“Si Sekretariat për Eurointegrime, parashtruam mekanizma seriozë për mbikëqyrje dhe monitorim të realizimit të reformave, për çka dhe themeluam grupin punues në nivel ministrash, i cili mblidhet çdo javë. Formuam gjithashtu organin operativ ad–hoc. Në periudhën e kaluar, çdo mbledhje e qeverisë fillon me të ashtuquajturën pika me të cilën kontrollohet dhe analizohet realizimi i reformave me qëllim që të mbahet fokusi i qeverisë dhe implementimi i planit 3-6-9”,- deklaroi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
 
Osmani numëroi edhe aktivitetet e realizuara edhe në drejtim të   mënjanimit të sfidave të brendshme politike që qëndronin në rrugën euroatlantiken.  Po ashtu Osmani 100 ditëshin e arsyetoi edhe me aktivitetet në planin e jashtëm. 
 
“Në planin e brendshëm, me konsensus aprovuam propozim ligjin për gjuhët, me çka filluam procesin e avancimit si njërin prej proceseve më të rëndësishme që dalin nga Marrëveshja e Ohrit. Në planin e jashtëm, nënshkruam marrëveshje historike për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, me ç’rast përcaktuam trajektore të re të ndërtimit  të marrëdhënieve të mira me fqinjët. Në këtë drejtim pata një vizitë shumë të  rëndësishme me ministrin e punëve të jashtme të Greqisë, Kotzias, me të cilin i dakorduam bashkërisht aktivitetet dhe masat për ndërtimin e mirëbesimit mes dy vendeve si kusht themelor për afrim të dy popujve, me qëllim që të adresohet mandej kompleksi i ndërsjellë për përdorim të emrit të shtetit”,- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
 
Procesi integrues i vendit nuk paraqet rast të izoluar në Ballkan dhe një gjë e tillë shihet në sytë e BE-së, theksoi Osmani, ndërkaq u zotua se qeveria aktuale do të  japë gjithçka në drejtim të plotësimit të obligimeve në procesin euroatlantik.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU