Fleckenstein: Nuk ka kushte shtesë nga BE për Shqipërinë
Nuk ka kushte shtesë që Shqipëria të hapë negociatat e anëtarësimit...

Nuk ka kushte shtesë që Shqipëria të hapë negociatat e anëtarësimit, ka bërë të ditur në një konferencë për shtyp paraditen e sotme raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein.
Pas një seri takimesh të zhvilluara me eksponentët kryesorë të politikës shqiptare, Fleckenstein e ka vënë theksin tek zbatimi i reformës në drejtësi, për të cilën është shprehur i vetëdijshëm se nuk do të jetë e lehtë; ndërsa ka nënvizuar se vendimi për hapjen e negociatave nuk është ekskluzivitet i Parlamentit Europian.
“Vendimi për hapjen e negociatave është i Këshillit të Europës dhe jo i Parlamentit Europian. Megjithatë ne do të punojmë në mënyrë që negociatat me Shqipërinë të çelen në gjysmën e parë të vitit që vjen. Përsëris se nuk është PE ai që e vendos këtë, por Këshilli dhe Shqipëria duhet të vazhdojë të punojë shumë dhe pas çeljes së negociatave do të mund të diskutojmë për çështje të tjera”,- ka thënë Fleckenstein.
Në këtë situatë, ka shtuar ai, nuk ka hapësira për kushte shtesë përveç 5 prioriteteve. “Me zyrtarët shqiptarë fola për zgjedhjet dhe zhvillimet me 5 prioritetet kyçe. Nuk do të ishte e ndershme të krijoheshin kushte të tjera për hapjen e negociatave”,- ka thënë Fleckenstein.
