Maqedoni
Dhuna në Kuvend, anulohet seanca kundër sulmuesit të Shekerinskës
19.09.2017 15:39
Gjykata penale ka anuluar seancën gjyqësore kundër të akuzuarit, Pance Angellov, sulmuesit të deputetes së LSDM-së...

Gjykata penale ka anuluar seancën gjyqësore kundër të akuzuarit, Pance Angellov, sulmuesit të deputetes së LSDM-së, ministres aktuale të Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, që ndodhi gjatë sulmit të deputetëve më 27 prill në Kuvend.
Avokati i të akuzuarit, Dragan Peshevski, i caktuar sipas detyrës zyrtare, kërkoi kohë nga trupi gjykues ta njoftojë të akuzuarin për të drejtat e tij dhe dënimin e mundur për veprën për të cilën ngarkohet.
Kjo për shkak se avokati deri më tani asnjë herë nuk ka mundur të kontaktojë me të akuzuarin për të përgatitur mbrojtjen. Shekerinska para gazetarëve deklaroi se një vepër e tillë nuk guxon të mbetet pa u dënuar, me qëllim që e njëjta më asnjëherë të mos përsëritet.
“Mbështetja më e madhe që mund t’i jepet dhunës është që ajo mos të dënohet”,- u shpreh ajo, duke shtuar se qytetarët e Maqedonisë kanë të drejtë të ndjehen të sigurt. Shekeriska kërkon të dënohen edhe organizatorët e dhunës.
“Përgjegjësia për këto ngjarje duhet patjetër të shkojë edhe tek ata që në mënyrë direkte morën pjesë, ishin në dhunë, pa marrë parasysh nëse kanë qenë të manipuluar apo të paguar si shumica, por edhe për ata që këtë ngjarje e kanë organizuar. Më 27 prill, të gjithë ne kishim lëndime, por lëndimin më të madh ia shkaktuan Republikës së Maqedonisë dhe dikush për këtë duhet të bartë përgjegjësi. Unë shpresoj se përmes kësaj dhe proceseve tjera gjyqësore do të vijmë deri tek e vërteta, kush u shfrytëzua për pagesë, kush qëndroi prapa, kush i hapi dyert, kush janë ata që organizuan dhunën dhe deshën që Maqedonia të jetë në gjak, me qëllim që ata dhe krimi i tyre të ngelet pa u dënuar”,- deklaroi ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
Sipas akuzës, i akuzuari ka ndjellë ndjenjën e frikës dhe pasigurisë tek të pranishmit në sallë, por edhe tek të gjithë qytetarët. Ai ka hyrë në pres qendrën e Kuvendit, në grupin e parë, prej ku fillimisht i është afruar kryeministrit, Zoran Zaev, dhe më pas në mënyrë të dhunshme ka tërhequr për flokësh deputeten Shekerinska, duke vazhduar me vepra të tjera dhune.
Angellov ngarkohet për veprën penale “dhunë”, sipas nenit 386 të Kodit Penal, për të cilën është i paraparë dënim me burg prej 3 deri më 10 vite. Ai ndodhet në arrest shtëpiak deri në sjelljen dhe hyrjen në fuqi të aktvendimit. Shekeriska kërkoi dëmshpërblim për rastin. Si palë e dëmtuar në këtë lëndë është edhe kryeministri, Zoran Zaev.
Seanca e radhës do të mbahet më 6 tetor.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
