Botë

K. Veriut dhe Irani, objektivat e Trump në OKB

19.09.2017 16:23

Donald Trump do ta përdorë fjalimin e tij të parë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara...

Donald Trump do ta përdorë fjalimin e tij të parë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të bërë thirrje për aksione ndërkombëtare ndaj Koresë së Veriut dhe Iranit, vende që ai do t’i paraqesë si kërcënime binjake ndaj sigurisë globale.
 
Thelbi i fjalimit u bë i ditur për mediat nga zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, që thanë se presidenti do të paralajmërojë anëtarët e OKB-së se rrezikojnë të jenë spektatorë në histori, nëse nuk mobilizohen për t’u përballur me këto kërcënime.
 
Ndërsa fjalimi i Trump do të përqendrohet tek regjimet që kërcënojnë sigurinë, ai gjithashtu do të shpalosë vizionin e tij se si vendet anëtare të OKB-së mund të bashkëpunojnë përballë sfidave të tilla, pa kompromentuar sovranitetin e tyre.
 
Megjithatë, ende pa u mbajtur fjalimi i Trump, shumë analistë thonë se nëse vërtetë ai do të përqendrohet tek Koreja e Veriut dhe Irani, nuk mund të shmangë krahasimin e fjalimin e Xhorxh Bush para kombit në vitin 2002, kur ish-presidenti përshkroi Korenë e Veriut, Iranin dhe Irakun si aksi i së ligës.
 
Në fjalim, presidenti Trump do të flasë gjithashtu edhe për krizën në Venezuelë dhe kërcënimin terrorist në botë. Ndërsa Koreja e Veriut është një objektiv i lehtë pasi po i shkakton kokëçarje dhe aleatëve të vet, Trump do ta ketë më të vështirë të grumbullojë mbështetje kundër Iranit, i cili në vitin 2015 nënshkroi marrëveshjen për programin bërthamor me fuqitë botërore dhe pjesa dërrmuese e tyre me përjashtim të SHBA thonë se Teherani po e respekton atë./Top Channel