Ekstremizmi radikal, ekspertët: Kërcënim serioz, duhet strategji
Ekstremizmi radikal vazhdon të mbetet kërcënim serioz për Maqedoninë dhe Ballkanin....

Ekstremizmi radikal vazhdon të mbetet kërcënim serioz për Maqedoninë dhe Ballkanin, njofton “TVM2”.
Ekspertët e mbledhur në Ohër vlerësuan se duhet bërë më shumë për të parandaluar këtë lloj ekstremizmi, sidomos kur kihet parasysh se rreth 150 qytetarë të Maqedonisë kanë qenë në luftërat e Sirisë dhe Irakut, dhe 60 prej tyre janë kthyer sërish në vend. Përveç kësaj, luftëtarët e ISIS-it mund të fshihen edhe mes emigrantëve që kalojnë në rutën ballkanike.
“Nëpër këtë marshutë të emigrantëve që kalon këndej, ishin persona të caktuar të infiltruar në radhët e ISIS, ndaj ne duhet të jemi të gatshëm që të reagojmë në mënyrë përkatëse”,- deklaroi profesori universitar, Zvonimir Xhorxheviq.
Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, thotë se po përpunohet strategjia nacionale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit radikal.
“Është me rëndësi të veçantë për Maqedoninë dhe luftën kundër terrorizmit që të kemi parandalim dhe para së gjithash risocializim të personave që janë radikalizuar”,- tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Këto qëndrime u shpalosën në konferencën ndërkombëtare për menaxhimin me sfidat e ekstremizmit në rritje dhe parandalimin e tij, që po mbahet në Ohër. (Besim Abdullai, TVM2)
