Vazhdon debati për Ligjin për gjuhët, Kuvendi heq taksën radiodifuzive, miratohet Ligji për punëtorët e falimentuar
Kuvendi vazhdoi debatin rreth propozim ligjit për përdorimin e gjuhëve....

Kuvendi vazhdoi debatin rreth propozim ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili avancon përdorimin e gjuhës shqipe, njofton “TVM2”.
Debati është uzurpuar nga opozita, e cila kundërshton miratimin e këtij ligji, pasi sipas tyre propozim ligji është në kundërshtim me kushtetutën dhe MO-në, ndërkaq janë bërë shkelje gjatë procedurës parlamentare. Deputetët e shumicës hodhën poshtë pretendimet e opozitës. Sipas tyre, VMRO dëshiron regjimin Gruevskian.
Ndërkaq, kryeparlamentari Xhaferi tha se veprimi i opozitës me replika dhe kundërreplika ka për qëllim pengimin e punimeve në seancën plenare.
“Bëhet transformim identitar dhe demaqedonizim i shtetit maqedonas, kjo është dhimbja e popullit maqedonas dhe jo bashkëjetesa me shqiptarët”,- deklaroi Liljana Kuzmanovska nga VMRO-DPMNE.
“Unë nuk shoh Maqedoni të ndarë në maqedonas, shqiptarë, turq, boshnjakë dhe romë. Unë shoh ndarje mes jush, që doni Maqedoni në regjim, të zhbërë dhe të izoluar dhe ne që duam një shoqëri për të gjithë”,- tha Pavle Bogoevski nga LSDM.
“Për replikë janë paraqitur 22 deputetë. Është e qartë se qëllimi është që të pengohet seancea”,- theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Paraprakisht, Kuvendi miratoi Ligjin me të cilin pezullohet pagesa e taksës radiodifuzive dhe Ligjin për punëtorët e ndërmarrjeve të falimentuara. Me ligjin parashikohet që të ardhurat, që deri tani i merrte RTVM-ja përmes grumbullimit të kësaj takse, të financohet nga Buxheti shtetëror edhe atë në vlerë prej 0,5 për qind nga vlera e Buxhetit, në nivel vjetor. Krahas nga Buxheti, RTVM-ja do të financohet edhe nga mjete të tjera, gjegjësisht nga të ardhura të operatorëve kabllorë dhe nga të ardhura të realizuara me shitjen e programit të prodhuar në RTVM.
Me 82 vota pro, Kuvendi miratoi edhe propozim-ligjin për sigurim material të personave të papunësuar për shkak të privatizimit të ndërmarrjeve me pronësi dominuese të shtetit. Ligji lejon që rreth tre mijë njerëz të marrin një pagesë mujore prej 7,596 denarë, ose 34 për qind të pagës mesatare mujore të paguar vitin e kaluar. Zbatimi i këtij ligji do të kushtojë rreth 5 milionë euro në vit. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
