Botë
Uragani “Maria" i drejtohet Porto Rikos
20.09.2017 10:15
Uragani "Maria", i dytë i fuqisë maksimale që krijohet këtë sezon në Atlantik, është përplasur mbi ishujt Virxhin e po i drejtohet Porto Rikos...

Stuhia e kategorisë së pestë është lëshuar me të gjithë furinë e saj në ishujt St. Croix, një ditë pasi la pas një vazhdë shkatërrimesh në Dominika. Uragani i dhunshëm po lëviz pothuajse në të njëjtën rrugë me Irmën, edhe ajo e kategorisë së pestë dhe me një formë shkatërrimtare. Guvernatori i Porto Rikos i ka kërkuar 3.5 milionë banorëve të territorit amerikan të gjejnë strehim tani që stuhia po afrohet.
Zyrtarët atje druhen se mbetjet e lëna më herët nga “Irma” mund të kthehen tani në një element tejet të rrezikshëm nga erërat e forta të "Marias". Ka gjithashtu shqetësime se reshjet e dendura të shiut mund të shkaktojnë rrëshqitje dheu, ndërsa në zonat e ulëta stuhia parashikohet të ngrejë dallgë deri në 3 metra të larta.
Presidenti, Donald Trump, ka shpallur gjendjen e emergjencës për Porto Rikon dhe Ishujt e Virgjër, si dhe ka autorizuar Departamentin e Sigurisë së Kombëtare dhe Agjencinë Federale të Emergjencave për të koordinuar të gjitha përpjekjet e shpëtimit.
Një tjetër stuhi, stuhia tropikale "Lee", po pason nga lindja uraganin "Maria", por nuk parashikohet nga meteorologët që t’i afrohet Karaibeve.
