Botë

Tërmet 7.1 ballësh në Meksikë, 248 të vdekur, luftë me kohën për të mbijetuarit

20.09.2017 11:47

Një tërmet i fortë 7.1 ballësh ka goditur Meksikën, duke shkaktuar qindra viktima...

Epiqendra këtë radhë ishte në zonën e Pueblas, rreth 120 km nga kryeqyteti dhe në 51 km thellësi. Por, dëmet më të mëdha tërmeti  i shkaktoi në Mexico City, ku humbën jetën 177 persona.
 
Të tjerët mbetën nën rrënoja në disa qytete të Meksikës qendrore. Dhjetëra banorë kanë mbetur të bllokuar pas shembjes së ndërtesave. Shkatërrimi i një shkolle u ka marrë jetën 20 fëmijëve, ndërsa 30 të tjerë rezultojnë të zhdukur. 
 
“Është një shkollë në jug të qytetit, një shkollë private, pjesa më e madhe e së cilës është rrënuar sërish. Për fat të keq, kanë humbur jetën fëmijë të vegjël që nga klasa e parë e shkollës fillore. 22 trupa janë gjetur deri tani atje, dy janë të rritur. Me dhjetëra fëmijë nuk gjenden ende. Ekipet e emergjencës janë angazhuar maksimalisht në përpjekjet e kërkim-shpëtimit. Në atë zonë janë zhvendosur më shumë se 500 persona, ushtarë e marinës”,- deklaroi presidenti i Meksikës, Enrique Pena Nieto.
 
Të mbijetuarit i tregojnë momentet e tmerrit, ndërkohë që solidariteti me ata që pësuan është në maksimum.
 
“Ishte dridhje shumë e fuqishme dhe unë shkova poshtë të gjej djalin tim po nuk munda, sepse shkallët e katit të tretë ishin rrëzuar dhe ne mbetëm të ngujuar aty ndërsa erdhën të na shpëtojnë. I falënderohem zotit që mbetëm gjallë”,- theksoi banorja e zonës, Alma Gonzalez.
 
“Ne po i ndihmojmë ata që pësuan më keq nga tërmeti i fundit, po mbledhim ujë, ushqime dhe ilaçe për banorët e ndërtesave që u rrëzuan”,- theksoi banori i zonës, Angel Fuentes.
 
Punonjësit e shpëtimit kanë përdorur gjatë natës projektorët për të kërkuar në gërmadha. Tërmeti erdhi pak orë pasi shumë njerëz ishin duke marrë pjesë në një simulim situate nga luhatjet e tokës, në 32-vjetorin e tërmetit që vrau me mijëra persona në Mexico City.
 
Fatkeqësi të tilla natyrore nuk janë të pazakonta për Meksikën. 12 ditë më parë, një tjetër tërmet i fuqishëm goditi pjesën jugore të Meksikës, duke lënë 98 viktima.
 
GAZMEND KURTISHI