Maqedoni

“Lagja e Trimave”, Lutfiu: djali im është i pafajshëm, do të dëshmohet

20.09.2017 14:52

“Djali im është i pafajshëm dhe kjo do të dëshmohet herët apo vonë”...

“Djali im është i pafajshëm dhe kjo do të dëshmohet herët apo vonë”. Kjo ishte deklarata e vetme për mediat e Liman Lutfiut, babait të Irfan Lutfiut, një nga të akuzuarit në rastin “Kumanova”. Sipas tij, Irfani ka qenë në shtëpi duke punuar në profesionin e tij si berber dhe nuk ka të bëjë aspak me rastin.
 
“Nuk është e mundur ajo, sikur të më thonë për motoçikleta, e di që i ka pasur shumë  dëshirë, por për kësi lloj gjërash nuk ka qenë i interesuar. Çka thonë këta nuk është e mundur, ky nuk ka faj, e di unë, e kam rritur atë djalë, le të pyesin nëse duan gjithë Maqedoninë. Ky e ka shikuar vetëm interesin e vet, i ka dy fëmijë dhe ka punuar në floktari. Ky i pafajshëm është dhe ajo do të dalë në shesh, ndoshta vonon pak, në shtëpi të vet ka qenë”,- deklaroi babai i të akuzuarit Irfan Lutfiut, Liman Lutfiu.
 
Në vazhdimin e fjalëve të tyre përfundimtare, mbrojtja  ripërsëriti se edhe  analizat për prani të barutit në duart e të akuzuarit, Irfan Lutfiu, kanë rezultuar negative. Mbrojtja thekson se i akuzuari nuk ka qenë i veshur me uniformë ashtu siç pretendon prokuroria dhe këtë e kanë dëshmuar edhe dëshmitë verbale dhe ato materiale. Nga video incizimet mund të shihet se ai nuk është dorëzuar me grupin, këtë e kanë konstatuar edhe pjesëtarët e tjerë të grupit të cilët kanë deklaruar se nuk e dinë dhe nuk e kanë parë atë më parë.
 
“Irfan Lutfiun të gjithë e njohin si floktarin e lagjes. Ai akuzohet se kinse ka ndihmuar në transferimin e grupit në Lagjen e trimave. Nga dëshmitë e dhëna që i analizova mund të përfundohet se nuk ka as një lidhje dhe këtë, e ka konfirmuar edhe Prokuroria Publike, ku thekson se nga 2 deri më 8 maj i njëjti ka qenë në floktarinë e tij, e vërtetuar edhe nga dëshmitarët që thonë se ka qenë në punë gjithë kohës”,- theksoi avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq.
 
Alispahiq përkujtoi se shënjestër e terroristëve janë popullata civile, ndërsa në këtë rast ka një  paradoks ku civilët akuzohen për terrorizëm dhe organizim terrorist. Sipas tij, i akuzuari, Fazli Osmani, për më shumë se dy vite qëndron i pafajshëm në burg. Arsyeja e arrestimit është vetëm se ai është djali  i Sulejman Osmanit. Prokuroria ka bërë interpretim të gabuar të bisedave telefonike  në të cilat nuk ka ngjarje inkriminuese, pasi Fazli Osmani merret me bujqësi dhe asnjë nga të akuzuarit nuk e njeh atë dhe akuzat janë vetëm supozime hipotetike të prokurorisë, tha Alispahiq. 
 
Në seancë morën pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara Amerikës.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI