IShMJ: Na është ndarë buxhet vetëm për pagesën e rrogave
Inspektorati Shtetëror i mjedisit jetësor edhe këtë sezon dimëror mbetet me buxhet të kufizuar...

Inspektorati Shtetëror i mjedisit jetësor edhe këtë sezon dimëror mbetet me buxhet të kufizuar për funksionim normal, ankohen drejtuesit e tij, shkruan “TVM2”.
Janë vetëm 16 inspektorë të cilët duhet të kryejnë aktivitetet kundër ndotjes së ajrit, tokës e ujit, përfshi edhe mbeturinat në territorin e Maqedonisë.
Drejtuesit e këtij inspektorati thonë se janë në vendin e parafundit mes institucioneve sa i përket financimit, me një buxhet vjetor prej 245,000 euro, shumica e të cilave mbulojnë vetëm rrogat dhe me një borxh prej rreth 1 milion denarë dhe pa kushte elementare për funksionim normal.
“Nga kjo shumë e parave, 204.000 euro janë për pagat mujore të të punuarve, ndërsa me pjesën e mbetur duhet të kryhen të gjitha detyrat në territorin e vendit, gjë që praktikisht është e pamundur. Prej gjithsej 20 të punësuar, vetëm 16 inspektorë punojnë në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe mbulojnë obligimet për ndotjen e ajrit”,- deklaroi inspektori shtetëror i mjedisit jetësor, Miroslav Bogdanovski.
Nga Inspektorati për mjedis jetësor presin që në buxhetin e vitit 2018 të ndahen mjete financiare për funksionimin normal dhe për furnizimin me instrumente bashkëkohore për matje indikative, me ç’rast do të izolohen burimet dhe lloji i ndotjes.
Por, për efikasitet të tërësishëm thonë se nevojitet regullativë e re ligjore që do të krijonte edhe mundësitë për koordinim të të gjithë inspektorëve komunalë.( Gyltene Sinani, TVM2)
