Maqedoni
Debat në “Argument”: Bashkëpunimet në zgjedhjet lokale, aty ku rrezikohet interesi i shqiptarëve
20.09.2017 15:49
Zgjedhjet lokale ishin pjesë e debatit në “Argument” në TVM2 me përfaqësuesit e partive politike...

Përfaqësuesit e BDI-së, BESËS dhe Aleancës për Shqiptarët prezantuan mënyrën se si kanë bërë përzgjedhjen e kandidatëve të tyre. Edhe në këto zgjedhje, bashkëpunim do të ketë vetëm në nivel të këshillave komunalë në Manastir, Ohër, Çashkë dhe Gazibabë.
Kandidati i BDI-së për Kërçovën dhe kandidati i pavarur për Bërvenicë ka marrë tashmë mbështetje nga Aleanca për Shqiptarët. Pajaziti ka gjithashtu edhe mbështetjen e BDI-së dhe PDSh-së.
“Në qytetin e Kërçovës ne do mbështesim kandidatin shqiptar i cili do garojë pa e ditur se kë do kandidojë BDI. Do ftojmë elektoratin dhe për qasje parimore të njëjtën gjë e bëjmë me Bërvenicën, për shkak se kemi rrezik nga migracioni i shqiptarëve nga shtimi i votuesve të rinj 8 deri më 10 mijë më parë u bë me qëllim të mbrohen shqiptarët”,- tha Agon Ferati nga Aleanca për Shqiptarët.
Edhe përfaqësuesi i BESËS thotë se duke marrë parasysh pikërisht mospërçarjen e votës shqiptare, vendosën të mos kandidonin në Kërçovë dhe dolën me listë të përbashkët këshilltarësh në tre komuna të tjera.
“Kur bie në rrezik interesi i shqiptarëve, për këtë arsye ne nuk nxorëm kandidat në Kërçovë dhe me këtë rast e mbështesim kandidatin shqiptar, Fatmir Deharin, që fatkeqësisht dua të them se është ai. Bashkëpunim ndërpartiak kemi në Çashkë, në Manastir, Ohër, në Bërvenicë...”,- theksoi Faton Fazliu nga Lëvizja “Besa”.
BDI është skeptike për mbështetjen e BESËS në Kërçovë, ndërsa sa i përket pyetjes se përse nuk mbështetën kandidatin e Aleancës në Strugë, ku është e njëjta situatë si në Kërçovë, u tha se Struga nuk rrezikohet të humbet nga shqiptarët, në rrethin e dytë do të veprohet njëjtë si në zgjedhjet e kaluara, pra mbështetje parezervë për kandidatin shqiptar që hyn në balotazh.
“Nuk është e qartë se a do përkrahë Lëvizja BESA kandidatin e Komunës së Kërçovës, sepse kryetari Kasami u ka thënë votuesve të jenë të lirë të votojnë kë të duan. Në bazë të matjeve të mendimit publik, Komuna e Strugës nuk është e rrezikuar, andaj BDI garon me kandidatin e saj. Aty do ketë balotazh dhe në raundin e dytë do veprojmë sipas praktikave të instaluara”,- u shpreh Arber Ademi nga BDI.
Përfaqësuesit e partive pranuan se nuk arritën të merren vesh për bashkëpunimin në qytetin e Shkupit. Në “Argument” ata prezantuan shkurt edhe pikat kryesore në të cilat do të fokusohet fushata e tyre.
FLUTURA LATIFI
