Maqedoni

Afaristët në aksion, rregullohen shkollat në komunën e Sarajit

20.09.2017 16:14

Fondacioni “Albiz”, me ndihmën e afaristëve shqiptarë të vendit...

Fondacioni “Albiz”, me ndihmën e afaristëve shqiptarë të vendit, ka ndihmuar në meremetimin e shkollave fillore në Shishovë, Llaskarcë, Rashçe, Kopanicë e Krushopek të komunës së Sarajit.
 
Afaristët shqiptarë gjithashtu kanë mbledhur fonde për ndërtimin nga e para edhe të Shkollës Fillore “Dituria” në Gërçec. Drejtuesit e projektit thonë se kanë si qëllim përmirësimin e kushteve për mbarëvajtjen e procesin mësimor në këto shkolla.
 
“Projekti në fjalë u zhvillua për disa muaj radhazi, duke filluar nga muaji maj kur u bë vlerësimi i nevojave primare në këto shkolla, deri në fillim të muajit shtator ku u finalizuan punimet dhe intervenimet e parapara”,- deklaroi drejtori ekzekutiv i Fondacionit “Albiz”, Ilir Idrizi.
 
“Jam i sigurt se të holla të gjithëve na mungojnë, mirëpo këto kompani donatore patën vullnet për të ndarë pjesën e mirë të të ardhurave të tyre që t’i japin për këto shkolla, që fëmijët të mësojnë  në kushte më të mira”- tha kryetari i Këshillit të Donacioneve, Nexhat Shahini.
 
Projekti për rindërtimin e shkollave fillore në komunën e Sarajit kap vlerën prej 174 mijë euro, me mbështetje institucionale edhe nga komuna e Sarajit. 
 
REXHEP QAMILI