Poroj, përfundon ura e drurit, banorët: Ku mbeti pastrimi i lumit dhe digat

20.09.2017 16:46

Me 4 muaj vonesë, por më në fund ARM e mbajti premtimin e dhënë më 5 qershor...

Me 4 muaj vonesë, por më në fund ARM e mbajti premtimin e dhënë më 5 qershor dhe ndërtoi urën prej druri në vendin ku vërshimet shembën urën e vjetër të Porojit. Ministrja e Mbrojtjes, Sheqerinska, arsyeton vonesën me krizën e stërzgjatur politike që pamundësoi për muaj të tërë transferimin e pushtetit, njofton “TVM2”.

“Për herë të dytë, Armata e Maqedonisë arriti të zgjidhë një problem serioz të këtyre banorëve. 12 ditë zgjati ndërtimi i urës, por ju e dini se katër-pesë muajt e fundit Maqedonisë i ndodhën shumë gjëra, sepse ne jemi vendi i vetëm në Europë ku për shtatë muaj u pengua transferimi i qetë i pushtetit. Ky aksion u realizua nga momenti që morëm vendimin e Qeverisë”,- deklaroi ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska.

Banorët mirëpresin ndërtimin e urës provizore, por thonë se përveç saj asgjë nuk është ndërmarrë për pastrimin e shtratit të lumit apo për infrastrukturën tjetër të shkatërruar. Ata kërkojnë të intervenohet në ndërtimin e mureve mbrojtëse mbi fshat, sepse në të kundërtën situata e njëjtë do të përsëritet që me reshjet e radhës.

“Pas disa muajve kjo urë u ndërtua, tash nuk do me thënë se është bërë kjo urë dhe janë kryer punët u kryen problemet çka i kanë banorët tanë këtu, kjo është kryer, por prej rastit të dytë të vërshimeve të lumit këtu nuk është punuar asnjë punë tjetër edhe pse kemi bërë kërkesa për pastrimin e shtratit të lumit dhe ne shpresojmë që në pjesën lartë do punohet si është premtuar, do punohet, do ndërtohen ato diga”,- theksoi një banor i Porojit.

Shtrati nuk është i pastruar sa duhet, pasi këtu tani vinë vërshimet vjeshtore, mund të na bëjë rrezik, na rrezikohet fshati. Ne si banorë kërkojmë të ndërtohen digat atje lart, mos vinë ato vërshimet drejt këtu, por të ndalohet atje”,- tha një banor.

Edhe banorët e Brodecit,Veshallës dhe Bozofcës ankohen se ura e dëmtuar që i lidh me Shipkovicën bëhet e pakalueshme sa herë që ka reshje shiu. Ministria e Mbrojtjes kësaj radhe nuk ka mundur t’u dalë në ndihmë banorëve, pasi ura në këtë zonë i tejkalon kompetencat ndërtuese të MPB-së.

“Kemi bërë një mbikëqyrje të situatës më thellësisht, rezultatet kanë treguar se duhet një punë më e madhe nga ajo që kemi pasur kapacitet ne si Ministri e Mbrojtjes. Njëjtë edhe atje si këtu, thuajse çdo verë ka vërshime, veç se një pjesë e dheut e mirë mbi urën është e trazuar, në kontinuitet kemi problem, problemi do të zgjidhet vetëm atëherë kur edhe ajo pjesë të futet në projektin e UNDP-së”,- tha zëvendësministri i mbrojtjes, Bekim Maksuti.

Përveç problemeve me urat dhe rrugët, banorët e Porojit, të cilët sivjet dy herë janë dëmtuar nga vërshimet, ankohen se ende nuk u janë paguar kompensimet për dëmet e shumta që iu shkaktuan kulturave bujqësore. (Visar Sadiki, TVM2)