Ndarja e shtetit nga Partia, Zhbogar: Kujdes gjatë zgjedhjeve, zero tolerancë

20.09.2017 17:08

Integrimi europian përkrahet nga të gjitha partitë politike....

Integrimi europian përkrahet nga të gjitha partitë politike, por edhe nga sektori civil e më gjerë. Euroambasadori Zhbogar i përkujtoi partitë se nuk mjafton vetëm dëshira, por duhet punë për të përfunduar reformat. Por, më të rëndësishme për  Zhbogarin janë zgjedhjet e tetorit dhe ai përkujtoi qeverinë se nuk do të ketë tolerancë për shfrytëzimin e resurseve shtetërore për fushatat partiake.

“Para se të vazhdohet me reforma, nevojiten zgjedhje kredibile, të çliruara nga dhuna dhe nga  parregullsitë. Qeveria e re ka përgjegjësi të madhe dhe është me rëndësi që të mos i kthehet praktikave të vjetra të shfrytëzimit të resurseve shtetërore si dhe të ketë zero tolerancë për këto çështje”,- deklaroi euroambasadori, Samuel Zhbogar.

PLANI 3-6-9, OSMANI: MBËSHTETJE PËR LIGJET, VLEJNË PËR TË GJITHË

Zëvendëskryeministri Osmani, ndërkohë, kërkoi mbështetjen e të gjithëve për reformat e kërkuara.

“Qeveria mundet dhe duhet të bëjë më shumë, por nuk mundet vetëm ajo. Projektet ligjore duhet t’i miratojmë mundësisht me mbështetje sa më të madhe, për shkak se ligjet që implementohet nuk mund të vlejnë vetëm për disa e për disa jo. Ato do të vlejnë për të gjithë”,- theksoi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.

“BESA” – VMRO:  QEVERIA NUK NA KONSULTOI PËR PLANIN 3-6-9

Nga Lëvizja “Besa” ankohen për mungesë konsensusi në Kuvend, e këtë e arsyetojnë me mungesën e koordinimit për Ligjin e gjuhëve para formimit të qeverisë. Ligji për gjuhën shqipe është element që vlerëson kursin integrues, përkujtojnë nga “Besa”.

“Parashtrohet pyetja: kush këtu e ndihmon konsensusin dhe kush duhet ta ndihmojë konsensusin? Partitë opozitare apo qeveria? Ne që kemi 5 deputetë me 60 mijë vota, apo qeveria e cila ka gojën plot eurointegrime, e cila ka bërë plan    3-6-9 dhe e cila e ekskomunikon nga sjellja e këtij ligji, totalisht një parti e cila është e gatshme ta miraton”,- u shpreh deputeti i Lëvizjes “Besa”, Afrim Gashi.

Edhe deputeti i VMRO DPMNE–së, Antonio Milloshovski, theksoi se për planin 3-6-9 opozita asnjëherë nuk është konsultuar, ndërkaq akuzoi zëvendëskryeministrin Osmani se në 100 ditët e kaluara ka pasur vetëm fraza dhe asnjë punë konkrete. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)