“Edhe unë dua ajër të pastër”, marsh paqësor në mbrojtje të shëndetit të fëmijëve

20.09.2017 17:23

Dita Botërore e Paqes u shënua në Shkup nën moton “Edhe unë dua ajër të pastër"...

Dita Botërore e Paqes u shënua në Shkup nën moton “Edhe unë dua ajër të pastër”. Koalicioni O2 për ajër të pastër dhe Ambasada e Parë e Fëmijëve në Botë – “Megjashi”, me një marsh paqësor Ditën e Paqes sivjet ia dedikoi të drejtës për ajër të pastër.

Kushtetuta i garanton çdokujt të drejtën për mjedis jetësor të shëndoshë, por Maqedonia ende kryeson listat botërore të qyteteve të ndotura me numër në rritje të fëmijëve që vuajnë pasojat e  ndotjes. 

“Përpara zgjedhjeve lokale presim që ky problem të kuptohet seriozisht nga kandidatët për kryetarë komunash dhe pushteti qendror, duke ndërmarrë urgjentisht masa afatshkurte, por edhe me krijimin e një sistemi për masa afatgjata për të zvogëluar ndotjen e ajrit. Është turp dhe mjerim që tre qytete tona radhiten në listën e dhjetë vendeve me ajër më të ndotur në botë. Në këtë shekull është për të ardhur keq që po përballemi me një nivel kaq të lartë të ndotjes, me një numër kaq të madh të fëmijëve të sëmurë dhe raste të vdekjeve që vijnë si pasojë e ajrit të ndotur”,- deklaroi Eli Pesheva nga Koalicionit O2 për ajër të pastër.

“Shpresojmë që presioni ynë do të japë rezultat në qeveri. Ne kemi dorëzuar kërkesa afatmesme, afatshkurtra dhe afatgjata, dhe presim ndryshime, nëse nuk ndodhin, do të dalim në rrugë më shpesh. Çdo i dyti fëmijë në qytetet e ndotura është i sëmurë nga astma, bronkiti dhe sëmundjet tjera respiratore. E drejta për jetë është e garantuar me kushtetutë, me konventët e të drejtave të fëmijëve dhe duhet të jetë në krye të rendit të ditës në agjendën e Qeverisë”,- theksoi kryetari i Ambasadës së Fëmijëve “Megjashi”, Dragi Zmijanac.

Ata ftuan të gjithë qytetarët t’i mbështesin në marshin e radhës nesër, ku do të shpallen publikisht kërkesat e tyre të cilat janë dorëzuar edhe në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)