Vazhdon “maratona” për gjuhët, debati po merr ngjyrat e fushatës zgjedhore
Kuvendi vazhdoi debatin maratonik për projektligjin rreth përdorimit të gjuhëve....

Kuvendi vazhdoi debatin maratonik për projektligjin rreth përdorimit të gjuhëve. Deputetët filluan ta shfrytëzojnë këtë çështje edhe për fushatë parazgjedhore. Sipas opozitës, propozimi i këtij projektligji nga qeveria ka pikërisht këtë qëllim. Akuza të ashpra mes deputetëve të qeverisë së kaluar, VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së.
“Ky ligj antikushtetues është vënë këtu për të përhapur mjegull. Para zgjedhjeve duhet të votohet që të bëhet pazar politik, jo për të sjellë jetë më cilësore. Por, që dikush të mbulojë krimet që ka bërë apo që dëshiron të bëjë, kjo është nevoja për miratimin e një ligji të këtillë jokushtetues. Ndërkaq, shqiptarët, maqedonasit dhe turqit kanë nevojë për vende të reja pune dhe investime të reja”,- deklaroi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
“Edhe 100 vjet me pas jetë ju, edhe me vajtu nga kjo foltore, shqiptarët nuk ju besojnë. Unë s’e kam njohtë asnjë nga deputetët e VMRO-së më herët. Por, juve ju njoh, që kur ju me shokët tuaj keni thirrur “dhoma gazi për shqiptarët”. Ju keni qenë kundër akademisë pedagogjike në Shkup”,- deklaroi Ejup Alimi nga BDI.
Ndërkaq, deputeti i LSDM-së, Petar Atanasov, tha se deputetët e VMRO-së me këtë qasje po i hedhin benzinë zjarrit. Ai përsëriti qëndrimin e koalicionit të shumicës pro ligjit.
“Ligji për gjuhët është në harmoni me Kushtetutën e RM-së dhe amendamentin pesë, është miratuar para 16 viteve, të cilin ju e nënshkruat. Ligji për gjuhët siguron barazi të plotë qytetare dhe me të nuk aplikohet dygjuhësia në të gjithë territorin dhe as në të gjithë rendin juridik”,- u shpreh Petar Atanasov nga LSDM.
Propozim ligji u diskutua gjerë e gjatë, deri në orët e vona edhe një ditë më parë. Opozita vazhdon me replika dhe kundërreplika për të penguar miratimin e këtij ligji, pasi konsideron se është jokushtetues dhe diskriminon bashkësitë më të vogla etnike. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
