Futboll

Brazili kundër Meksikës, për të konfirmuar formën

17.06.2014 18:29

Skuadra e Brazilit do të zbresë sot në fushën e lojës për të hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit të grupeve...

Skuadra e Brazilit do të zbresë sot në fushën e lojës për të hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit të grupeve, ndërsa do të përballet me ekipin e Meksikës.
 
Kjo mund të përcaktohet si një nga ndeshjet më kryesore të grupit, pas asaj që lamë pas mes Brazilit dhe Kroacisë. Për momentin do të përballen mes tyre dy skuadrat më të forta të grupeve, që kanë arritur fitore në ndeshjen e parë.
 
Dyshimet e forta të ndeshjes mes Brazilit dhe Kroacisë, skuadra e Skolarit pritet t’i largojë sot. E merituan apo jo fitoren, janë apo jo skuadra pretendente për të fituar botërorin.
 
Gjithçka do të marrë përgjigje sot, e nëse nuk merr përgjigje do të na bëjë të kuptojmë më mirë se deri ku do të shkojë ky Brazil. Djemtë e Skolarit kanë punuar intensivisht gjatë kësaj kohe për të shmangur gabimet në mbrojtje dhe për të mos pësuar më gola foshnjarakë, si ai i pari për këtë botëror.
 
Megjithatë ende nuk është përcaktuar formacioni kryesor që do të zbresë në fushën e lojës. Skolari ka dyshime të forta dhe dëmtimi i Hulk vetëm një ditë përpara ndeshjes i ka ndërlikuar zgjedhjet e teknikut brazilian.
 
Kjo ndeshje do të shërbejë për të treguar forcën, ndaj ekipit të dytë të grupit A.
 
Presioni vazhdon të jetë mbi ekipin vendas, që organizon këtë kampionat botëror. Megjithatë djemtë e Skolarit duhet të tregojnë se presioni është vetëm një faktor anësor që nuk do të ndikojë aspak gjatë këtij rrugëtimi dhe këtij misioni të jashtëzakonshëm dhe drejt ëndrrës së madhe të kombit brazilian.
 
Kjo sfidë do të shërbejë edhe për kolaudimin e grupit dhe për forcimin e skuadrës braziliane.
 
Meksika vjen në këtë ndeshje pas fitores me Kamerunin dhe kërkon të ruajë vazhdimësinë e rezultateve pozitive. Edhe pse nuk do të jetë aspak e lehtë përballë një prej ekipeve më të forta dhe më në formë të momentit. Dilemat për vendin e dytë në grup janë të forta dhe sigurisht që nuk dihet ende nëse Kroacia do të ketë forcë për të reaguar.
 
5 herë është shpallur Brazili kampion bote. Skuadra Seleçao kërkon ta bëjë realitet këtë ëndërr për herë të gjashtë papara tifozëve vendas.