Propozim-ligji për amnistinë, Qeveria: Përfitojnë vetëm kategori të caktuara

20.09.2017 17:36

Qeveria ka miratuar propozim-ligjin për amnisti....

Qeveria ka miratuar propozim-ligjin për amnisti, por atij do t’i duhet të kalojë nëpër disa faza deri në miratim, përfshirë edhe debatin publik. Nëse miratohet ky propozim-ligj, ai do të përfshijë disa kategori të burgosurish.

“Me këtë propozim-ligj parashihet të përfitojnë të gjithë individët të cilët kanë vuajtur dënim me burg në kohëzgjatje prej 6 muajve, kurse personave të cilët janë të dënuar me burg prej 5 vjetësh, dënimi do t’u zvogëlohet për 30 për qind. Me këtë ligj nuk parashihet amnistim i personave me burgim të përjetshëm, kryerësit të veprave penale kundër zgjedhjeve dhe votimit, të burgosurit për vepra penale kundër shtetit dhe individëve të burgosur për krim të organizuar. Qëllimi i këtij propozim-ligji është që të arrihet risocializim i të dënuarve”,- deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.

PROPOZIM-LIGJI, VMRO: AMNISTIA ËSHTË KORRUPSION ZGJEDHOR

VMRO, ndërkohë, thotë se propozim-ligji për amnisti është korrupsion zgjedhor përmes të cilit pushteti kërkon të manipulojë procesin zgjedhor duke i kthyer të burgosurit në makineri votimi të LSDM-së.

“Loja me propozim-ligjin për amnisti për shkelësit e ligjit dhe kryerësit e veprave penale nuk është asgjë tjetër përveç se korrupsion zgjedhor dhe bashkëpunim me të burgosurit para zgjedhjeve. Zoran Zaevi nuk është i sinqertë me njerëzit që janë në burgje. Ai dëshiron që t’i shfrytëzojë si makineri votuese duke krijuar kaos dhe demonstrim të banditizmit”,-  thonë nga VMRO.

Propozim-ligji do të publikohet në Regjistrin e vetëm nacional elektronik të dispozitave të Maqedonisë, në të cilin do të kenë qasje jo vetëm ekspertët, por edhe përfaqësues të sektorit civil e të gjitha palët e interesuara, përfshirë qytetarët. (Besim Abdullai, TVM2)