Plani ekonomik, Qeveria e prezanton para afaristëve vendorë
Zëvendëskryeministri Angjushev ka prezantuar para komunitetit të biznesit planin ekonomik të qeverisë....

Zëvendëskryeministri Angjushev ka prezantuar para komunitetit të biznesit planin ekonomik të qeverisë.
Premtoi se nuk do të ketë më privilegje për firmat e huaja në kurriz të atyre vendore. Afaristët sugjeruan që për hapjen e qendrave zhvillimore përskaj mbështetjes për kompanitë e huaja të kyçen edhe kompanitë vendore.
“Duam që të sigurojmë rritje të ekonomisë vendore, të sigurojmë inkluzivitet në këtë proces të të gjithë kompanive, që mjetet mos të dedikohen vetëm për një numër të caktuar të kompanive. Mendoj se këto masa do të pranohen pozitivisht, ndërsa analizat tona tregojnë se do të japin rezultat për gjithë ekonominë e vendit dhe do të rritet bruto prodhimi vendor”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koco Angjushev.
“Kemi bartës konkretë të programit. Kemi mjete konkrete të dedikuara për atë program, kemi një grup të synuar, konkretisht kompanitë e suksesshme të Maqedonisë. E gjithë kjo Odës Ekonomike i jep garanci se ky planprogram do të jetë i suksesshëm dhe do të ketë ndikim në rritjen ekonomike të shtetit”,- tha kryetar i OEM-së, Branko Azevski.
“Si pjesë e komunitetit të biznesit konstatuam se masat do t’i japin një stimul shtesë ekonomisë të Maqedonisë, posaçërisht atyre që janë të suksesshëm të cilët merren me import. Kemi pasur edhe vërejte të cilat shpresojmë se zëvendëskryeministri dhe qeveria do t’i kenë parasysh”,- tha afaristi, Gligor Cvetanov. (Ersan Pajaziti, TVM2)
