Referendum në Katalunjë, policia spanjolle bastis ministritë, 14 të arrestuar

20.09.2017 19:02

Policia spanjolle ka arrestuar 14 persona, mes tyre edhe ministrin e Ekonomisë së Katalunjës...

Policia spanjolle ka arrestuar 14 persona, mes tyre edhe ministrin e Ekonomisë së Katalunjës, Josep Maria Jove, gjatë kësaj të mërkure, pjesë e bastisjeve ndaj zyrave qeveritare rajonale, përpara referendumit të paautorizuar për pavarësi.

Policia spanjolle ka hyrë në mjediset e ministrive të Ekonomisë, të Brendshme, të Marrëdhënieve të Jashtme, të Mirëqenies, Telekomunikacionit dhe Departamentin e Tatim-Taksave.

Tensionet me Madridin janë përshkallëzuar gjatëve javëve të fundit, pasi udhëheqësit e rajonit të pasur verilindor të Katalunjës janë zotuar t’i shkojnë deri në fund votimit të 1 tetorit për ndarje nga Spanja, gjë që qeveria qendrore e quan të paligjshme dhe kësisoj nuk mund të zhvillohet.

Garda Civile e Spanjës, një forcë policore kombëtare, ka sekuestruar edhe 45 mijë zarfe të paketuara në kuti, të cilat qeveria katalanase planifikonte t’ua dërgonte njerëzve anembanë rajonit si  informim mbi referendumin.

Qindra kryebashkiakë katalanas u detyruan të paraqiteshin përpara prokurorit të shtetit ditën e martë, pasi thanë se do ta mbështesnin referendumin.