Turqia, Irani dhe Iraku kundër referendumit të kurdëve për pavarësi

21.09.2017 12:00

Turqia, Irani dhe Iraku kërcënuan me kundërpërgjigje, nëse udhëheqësit kurdë të Irakut mbajnë referendumin...

Turqia, Irani dhe Iraku kërcënuan me kundërpërgjigje nëse udhëheqësit kurdë të Irakut mbajnë referendumin e planifikuar për pavarësi, më 25 shtator.

Ministrat e jashtëm të tre vendeve u takuan në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ai irakian, Ibrahim al-Jaafari, dhe ai iranian, Mohammad Javad Zarif, rikonfirmohet përkushtimi i vendeve të tyre për integritetin territorial të Irakut dhe kundërshtimi ndaj referendumit.

Udhëheqësit kurdë duan të mbajnë referendumin në rajonin gjysmë-autonom kurd të Irakut dhe zonat fqinje, pavarësisht kundërshtimeve të Qeverisë në Bagdad dhe të komunitetit ndërkombëtar.

Irani dhe Turqia e kundërshtojnë fuqishëm votimin nga frika se mund ta nxisë pakicën kurde edhe në këto vende për ndarje. Duke e cilësuar referendumin si “jokushtetues”, ministrat e Turqisë, Iranit dhe Irakut thanë se ai nuk do të ishte i dobishëm për kurdët e Irakut dhe se do t’i vinte në rrezik fitoret e Irakut kundër grupit militant “Shteti Islamik”.