Takimi Zaev-Han në Nju Jork, Hani: Vazhdoni reformat e filluara; Zaevi: presim një hap përpara në eurointegrime

21.09.2017 15:42

Vazhdoni të punoni në mënyrë demokratike në reformat që i keni filluar.

Vazhdoni të punoni në mënyrë demokratike në reformat që i keni filluar. Atë që do ta arrini është me rëndësi për perspektivën e vendit tuaj dhe për tërë rajonin.

Ky ishte mesazhi i eurokomisarit, Johanes Hahn, në takim me kryeministrin, Zoran Zaev, në  zyrën e BE-së pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Siç bën të ditur shërbimi për informim i qeverisë, Han ka përshëndetur iniciativën  e qeverisë së Maqedonisë për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunimin rajonal, duke i quajtur  si beneficione për integrim rajonal të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike. 

Kryeministri Zaev në takim ka deklaruar se qeveria në mënyrë aktive është përqendruar në realizimin e reformave të planit 3-6-9, si dhe aktivitetet e nevojshme për realizimin e qëllimit strategjik shtetëror për eurointegrime.               

"Po e përfundojmë fazën e parë sipas afatit të paraparë, deri në fund të shtatorit. Ne tani kemi edhe raportin e ekspertit të BE-së, Priebe, kurse sugjerimet e tij do të merren parasysh në pjesën e dytë të planit, në të cilin po punojmë tashmë. Qëllimi ynë është të krijojmë kushte për një jetë cilësore për qytetarët e Maqedonisë dhe për integrimet euroatlantike. Ne po punojmë shumë, i kemi përfshirë qytetarët, organizatat qytetare, partitë politike, i kemi forcuar miqësitë ekzistuese dhe po ndërtojmë të reja me vendet fqinje si dhe në rrafshin ndërkombëtar. Me të drejtë presim një hap përpara në integrimin europian në vjeshtë, duke hequr kushtëzimet e rekomandimit, dhe pastaj presim edhe një datë për fillimin e negociatave. Në të njëjtën kohë, ne konsiderojmë se i kemi përmbushur kushtet e nevojshme për integrim në NATO",- i ka thënë Zaevi eurokomesarit Hahn. Pas takimit njëorësh me eurokomisarin Han, kryeministri Zaev ka marrë pjesë në darkën e organizuar nga përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, në selinë e delegacionit të BE-së në Kombet e Bashkuara.

Mogherini në këtë eveniment  ka thënë se Brukseli dëshiron t’ua konfirmojë udhëheqësve të vendeve të Ballkanit përkrahjen e pashterur për zgjerimin e BE-së me vendet e rajonit. Pjesë e delegacionit të Maqedonisë në Nju Jork është edhe shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov, i cili ka realizuar një darkë pune me kolegët nga Ballkani perëndimor.

Në takim është bërë fjalë për bashkëpunimin rajonal si dhe plotësimin e angazhimeve të marra nga procesi i Berlinit. Dimitrovi ka takuar mbrëmë edhe homologun e tij grek, Koxias.

Kryeministri Zaev pritet të takohet edhe me sekretarin gjeneral të Kombeve të Bashkuara, Guteress, dhe më pas do të ketë fjalim në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)