Kulturë
Paralajmërohet valë e nxehtë kulturore
17.06.2014 19:03
Sheshet e qyteteve nëpër tërë Maqedoninë, këtë vit do të ofrojnë programe të ndryshme kulturore artistike për të gjithë qytetarët...

Sheshet e qyteteve nëpër tërë Maqedoninë, këtë vit do të ofrojnë programe të ndryshme kulturore artistike për të gjithë qytetarët.
Këtë do ta mundëson programi “Vala e nxehtë kulturore”, që do të realizohet në dy cikle, nga 20 deri 31 korrik dhe nga 20 deri 31 gusht. Programin në fjalë do ta shënojnë rreth 160 ngjarje artistike, të cilat do të jenë të disperzuara nëpër komunat e vendit, mes të cilave edhe në dy komunat shqiptare, atë të Kërçovës dhe Çairit.
Ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska-Milevska, tha se kjo Ministri vazhdon me angazhimin për të pasuruar ofertën kulturore nëpër të gjitha qytetet e vendit.
“Këtë vit, qytetarët maqedonas dhe mysafirët nga rajoni do të mund të ndjekin më shumë se 160 ngjarje, të cilat besoj se do të pasurojnë të jetuarin kulturor në të gjitha komunat e Shtetit tonë. Duke filluar nga viti 2008, qytetarët kanë pasur mundësi të ndjekin më shumë se 600 ngjarje kulturore, të cilat nxitën interes masovik nga publiku pothuajse në të gjitha qytetet”, deklaroi ministrja e Kulturës, Elizabeta Milevska-Kançevska.
Këngëtarët shqiptarë, të cilët do ta begatojnë këtë program, janë: Enkelejda Arifi, Selami Kolonja, Miranda Hashani, Redon Makashi dhe Nikoll Nikprelaj.
ZEJXHANE OSMANI
