Rasti “Monstra” dhe rasti “Kumanova”, Saliu: Kërkojmë hetim ndërkombëtar
Pas ministrit të Brendshëm, Oliver Spasovskit, edhe ministri i Drejtësisë, Bylent Sali....

Pas ministrit të Brendshëm, Oliver Spasovskit, edhe ministri i Drejtësisë, Bylent Sali, kërkon hetim ndërkombëtar për rastin “Lagja e trimave” dhe rastin “Monstra”, por pasi të ketë epilog përfundimtar gjyqësor.
Ai rikujtoi se rekomandimi i Pribesë është që Ministria e Drejtësisë të qëndrojë sa më larg gjyqësorit. Gjatë prezantimit të raportit për 100 ditëshin e punës së Qeverisë ai bëri të ditur se në draft strategjinë për reforma në sistemin gjyqësor është e paraparë që Prokuroria Speciale të integrohet në Prokurorinë e rregullt Publike dhe të funksionojë si sektor i veçantë që do të merret me veprat më të rënda penale.
“Ju e dini se rasti “Monstra” është i ndjeshëm, por ende nuk ka epilog gjyqësor, ju e dini se tani është në duar të Gjykatës Supreme dhe unë preferoj të presim vendimin e Gjykatës Supreme. Me siguri se edhe unë ndërlidhem me deklaratën e kolegut Spasovski, se Ministria e Punëve të Brendshme do të kërkojë edhe hetim ndërkombëtar edhe për rastin “Kumanova” edhe për rastin “Monstra””,- theksoi ministri i Drejtësisë, Bylent Sali.
Raporti për 100 ditëshin e Qeverisë, Saliu: Ligji për amnisti nuk i shërben fushatës
Ai po ashtu thekson se propozim-ligji për amnisti nuk ka të bëjë me fushatën zgjedhore dhe as që do të mund t’i shërbejë dikujt, pasi që një gjë e tillë nuk do të mund të zbatohet para zgjedhjeve. Qëllimi i ligjit në fjalë është reduktimi i numrit të të burgosurve, pasi nëpër burgjet e vendit aktualisht vuajnë dënimin rreth 3000 persona, derisa 4000 mijë të tjerë presin radhën për vuajtjen e dënimit.
“Qeveria në kohën e parë të mundshme vendosi që të propozojë një ligj të këtillë, duke e pasur parasysh që qeveria vendosi që kjo të shkojë në procedurë të rregullt, ai tani së paku 20 ditë duhet të jetë i vendosur në regjistër, do t’i marrim mendimet e opinionit më të gjerë dhe para publikut do të organizojmë debate me ekspertë me profesorë të lëmive dhe mandej do ta sjellim në procedurë parlamentare. Ju e dini që krejt kjo kërkon kohë të caktuar, kështu që përgjigjen e keni: assesi nuk mund të kalojë para zgjedhjeve”,- deklaroi ministri i Drejtësisë, Bylent Sali.
Strategjia për reforma në drejtësi parashihet të realizohet nga viti 2017 - 2022. Në drejtim të veprimit sipas rekomandimeve të Komisionit të Venedikut dhe Komisionit Europian janë në procedurë ndryshimet e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të RM-së dhe Ligjit për Gjykata, në pjesën e procedurës dhe përgjegjësisë disiplinore. Në procedurë janë edhe ndryshimet ligjore në Ligjin për përmbarim dhe notariat. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)
