Spasovski: Arrestohet Igor Jug, sulmuesi i Zaevit dhe Selës

21.09.2017 16:52

Mëngjesin e së enjtes është arrestuar Igor Jug, i cili më 27 prill ishte pjesë e turmës....

Mëngjesin e së enjtes është arrestuar Igor Jug, i cili më 27 prill ishte pjesë e turmës që u fut në Kuvend dhe sulmoi fizikisht liderin socialdemokrat, Zoran Zaevin, dhe atë të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Selën. Arrestimin e ka konfirmuar edhe ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.

“Po, mund të konfirmoj se ai është arrestuar. Në mëngjes i ramë në gjurmë, u arrestua personi që kërkohej dhe ky është një plus për pastrimin e zhvillimeve të 27 prillit”,- deklaroi Oliver Spasovski nga MPB.

MPB e kishte lokalizuar vendndodhjen e Igor Jugut nga Kumanova, ndaj të cilit menjëherë pas incidentit ishte hapur procedurë kundër tij, por ai deri tani ishte i pakapshëm për policinë. Sipas informatave, ai është arrestuar në shtëpinë e babait të tij në Kumanovë.

Jug ishte përmendur edhe nga agjenti serb i sigurisë, Goran Zhivaljeviq, duke aluduar se detyra e Jugut ka qenë ta likuidimi i liderit socialdemokrat, Zaev, pasi siç thotë agjenti serb, ai tërë kohën në Kuvend shihet se si e mban dorën prapa shpinës, ku dyshohet të ketë pasur armë. (Gyltene Sinani, TVM2)