Kuvend, VMRO: Ligji për gjuhët kundërkushtetues
Ligji për gjuhët, VMRO: Ligji, kusht për mbijetesën e shumicës. LSDM: Gruevski u vardiset shqiptarëve, ju jeni kundër. BDI: VMRO e ka pranuar Ligjin për gjuhët. Besa dhe Aleanca, pro ligjit...

Kuvendi vazhdoi debatin rreth projektligjit për përdorimin e gjuhëve. Opozita vazhdon këmbënguljen që ky ligj të tërhiqet dhe të hapet debat i gjerë publik para miratimit të një ligji të tillë.
Sipas tyre, propozim-ligji është antikushtetues, por vihet në miratim pasi nga ky ligj varet qëndrueshmëria e koalicionit qeverisës.
“Sjellin propozim-ligj për të cilin janë të vetëdijshëm se është në kundërshtim me kushtetutën. Ku është konsistenca, këtu?! Ku është parimi politik?! Të gjithë e dinë se ky propozim-ligj është kusht për të mbijetuar koalicioni qeveritar”,- deklaroi Bllagica Llasoska nga VMRO-DPMNE.
Shumica shprehet e shokuar nga veprimi dhe reagimi i VMRO-së. Sipas BDI-së, VMRO paraprakisht e ka pranuar një gjë të tillë, ndërkaq, sipas deputetes Remenski,VMRO ka qasje kontradiktore.
“Nga njëra anë, lideri i partisë suaj përpiqet t’u vardiset shqiptarëve duke treguar se sa VMRO-DPMNE paska bërë për shqiptarët. Se si dygjuhësia paska funksionuar edhe në disa vite të shkuara. Dhe, nga na tjetër, juve si deputetë ju orienton të flisni kundër asaj që flet lideri i juaj”,- tha Frosina Remenski nga LSDM.
“Jam i shokuar nga reagimet e tyre për përdorimin e gjuhëve, për arsye se e di qëndrimin e gjithsecilit prej tyre dhe nëse ata nuk e dinë, unë me gjithë kënaqësinë do ua jap Ligjin për përdorimin e gjuhëve, që partia e tyre e ka pranuar. Kjo parti ka lidhur koalicion me Lëvizjen BESA dhe po bën fushatë nga foltorja e Kuvendit për t’i ndihmuar kandidatët e tyre në këto komuna duke shpifur ndaj kandidatëve të BDI-së”,- theksoi Artan Grubi nga BDI.
Lëvizja BESA mbështet projektligjin për gjuhët, edhe pse konsideron se ky ligj nuk e mbyll këtë çështje. Sa i takon bashkëpunimit me VMRO-në, Zendeli e quajti shpifje.
“Partitë politike e kanë lirinë e vet, kanë programet e veta, janë në fushatë zgjedhore dhe çdo kush e ka zgjedh rrugën e vet se si do të bashkëpunojë me subjektet politike. Ju paralajmëruat se do të keni bashkëpunim me LSDM-në në komuna të caktuara dhe s’ka kurrgjë të keqe, por nuk është mirë që të imputoni gjëra për subjektet tjera të cilat s’kanë të bëjnë me të vërtetën”,- tha Fadil Zendeli nga BESA.
Edhe Aleanca mbështet Ligjin për përdorimin e gjuhëve pasi konsideron se ligji avancon përdorimin e gjuhës shqipe aq sa mundëson kushtetuta aktuale.
“Aleanca për shqiptarët, si një nga promotorët kryesorë për miratimin e Ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, e mbështet fuqishëm miratimin e këtij ligji. Ligji për gjuhët mundëson një përdorim të gjerë zyrtar të gjuhës shqipe në të gjitha institucionet. Ky ligj mundëson maksimumin që lejon kushtetuta aktuale”,- u shpreh Suria Rashidi nga Aleanca për Shqiptarët.
Debatit të stërzgjatur me replika, kundërreplika dhe plot ndërhyrje procedurale, që s’kanë të bëjnë me shkeljen e procedurës, nuk i munguan as anekdotat e kryeparlamentarit. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
