Rasti “Kumanova”, Stefanovska: të gjithë janë të barabartë para ligjit
"Si mund ta mbrosh këtë njeri? A s’të vjen keq për të vrarët?”,- kështu i janë drejtuar prokurorët e rastit të Kumanovës avokates, Snezhana Stefanovska...

"Si mund ta mbrosh këtë njeri? A s’të vjen keq për të vrarët?”,- kështu i janë drejtuar prokurorët e rastit të Kumanovës avokates, Snezhana Stefanovska, mbrojtje e Mirsat Qerimit.
Këtë Stefanovska e bëri të ditur gjatë fjalëve përfundimtare para trupit gjykues, duke ia bërë të ditur edhe prokurorisë edhe gjykatës se të gjithë para Ligjit janë të barabartë dhe kanë të drejtë për mbrojtje.
“Unë vetëm u deklarova për të drejtën e barabartë të të gjithëve të marrin pjesë në procedurë të paraparë ligjore dhe fajësinë apo pafajësinë gjithkush ka të drejtë ta dëshmojë në procedurë të paraparë me ligj duke pasur parasysh atë se të gjithë janë të barabartë para ligjit. Shpresoj se edhe gjykata, duke pasur parasysh procedurën e paraparë me ligj, do të veprojë në pajtueshmëri me dëshmitë e shpalosura dhe do të konstatojë nëse aktakuza është e bazuar apo jo”,- deklaroi avokatja mbrojtëse, Snezhana Stefanovska.
Stefanovska theksoi se prokuroria ka përpiluar aktakuzë paushalle, pa prova që do të mbështesin pohimet e tyre se Mirsad Qerimi është përfshirë me vetëdije në grup dhe se ka kryer vepra terroriste.“Si mund ta akuzoni për terrorizëm dikë që nuk ka pasur as armë?! Nuk ka pasur as uniformë”.
Edhe vetë i akuzuari Qerimi para trupit gjykues u shpreh se nuk është terrorist. “Fjala terrorizëm është fjalë shumë e rëndë për cilindo. Unë kurrë nuk e kam përkrahur terrorizmin, as familja ime. Për çfarëdo qëllimi që u bë kjo dhe për çka do që ndodhi ngjarja, të gjithë e dinë se nuk ka pasur terrorizëm. Nëse dikush ka bërë terrorizëm, ajo është policia”,- deklaroi Mirsad Qerimi në gjykatë. Sipas avokatëve mbrojtës, në tetor pritet të ketë edhe aktvendim gjyqësor për rastin. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)
